“Udhëtimi pa viza më së largu në janar të 2024”, Presidenca çeke ka një thirrje për Kosovën

  • E.K /
  • 30 November 2022 - 11:22
“Udhëtimi pa viza më së largu në janar të 2024”, Presidenca çeke ka një thirrje për Kosovën

Presidenca çeke e Bashkimit Europian e ka cilësuar si hap të rëndësishëm vendimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE’së që ranë dakord për t’i dhënë mandatin Këshillit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Presidenca çeke pati një thirrje për Kosovën, thirrja e saj ishte që të bashkëpunojë me BE -në dhe shtetet anëtare të saj, lidhur me procesin e vizave,  transmeton "Kosova Sot Online".

“Duke adoptuar mandatin në takimin e sotëm të ambasadorëve, Këshilli ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për liberalizimin e vizave me Kosovën”, thuhet në reagimin e Presidencës çeke pas marrjes së këtij vendimi.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për të ruajtur përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave”.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet tona të politikës së jashtme gjatë presidencës sonë. Më vjen mirë që ndihmuam për të gjetur një marrëveshje brenda Këshillit për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky është një lajm i madh edhe për Kosovën edhe për rajonin. Jam i bindur se regjimi pa viza do të hapë rrugën për kontakte më të ngushta mes qytetarëve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së”.

(Kosova Sot Online)