Shoqatat e grave nga Kosova, Bosnja e Serbia bashkohen në protestë kundër Ivica Daçiqit

  • S.A /
  • 30 November 2022 - 12:37
Shoqatat e grave nga Kosova, Bosnja e Serbia bashkohen në protestë kundër Ivica Daçiqit

Një konsorcium rajonal i organizatave jo qeveritare nga Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që kanë punuar për të drejtat e viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftërave në ish-Jugosllavi për 30 vjet, kanë pyetur Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se pse Ivica Daçiq, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i regjimit të Millosheviç’it, është ftuar të flasë në një konferencë për parandalimin krimeve të dhunës seksuale, transmeton "Kosova Sot Online".

Ivica Daçiq, kryediplomati serb, në këtë konferencë ndërkombëtare ku tema ishte parandalimi i dhunës seksuale gjatë luftërave, pati deklaruar se kjo temë është “veçanërisht e dhimbshme”.

Fakti që një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Sllobodan Millosheviç’it, i cili ishte politikisht përgjegjës për krimet e kryera në ish-Jugosllavi, po flet për këtë temë, sipas koncorsiumit rajonal të organizatave jo qeveritare, paraqet mungesë të plotë të mirëkuptimit dhe ndjeshmërisë për viktimat dhe të mbijetuarit.

Konsorciumi rajonal beson se ky është një dështim i madh i organizatorëve, pavarësisht nëse ftesa i është drejtuar Ivica Daçiç’it apo Qeverisë së Serbisë, kjo pasi që Partia Socialiste e Serbisë, e kryesuar nga Daçiç, nuk hoqi dorë asnjëherë nga politika e Millosheviç’it që rezultoi në krimet më të rënda kundër njerëzimit.

Përkundrazi, partia e kryesuar nga Daçiç, ka lobuar për ngritjen e një monumenti për Slobodan Millosheviç’in në Beograd.

Ministri Daçiç, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, po ashtu theksoi se Serbia është e gatshme të “ndajë përvojat e saj me të tjerët”.

Kjo deklaratë, sipas organizatave jo-qeveritare nga Kosova, Serbia e Bosnja, është veçanërisht problematike, duke qenë se Serbia nuk i njeh viktimat e dhunë seksuale në konflikte si viktima civile të luftës.

Për këtë çështje, veçmas, ishte duartrokitur nga audienca në Londër, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në Konferencën kundër Dhunës Seksuale në Konflikt, pasi ka kundërshtuar praninë e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ishte pjesë e njërit nga panelet.

Fillimisht Gërvalla pati deklaruar, “si një vend që kemi ardhur nga gjenocidi nuk mund të kontribuojë shumë se si të trajtoni kriminelet, sepse ata vijnë nga jashtë në rastin tonë” dhe më pas kishte filluar argumentimin pse Daçiç nuk do të duhej të ishte në sallë.

“Jam e shokuar nga prezenca në panel e Ivica Daçiç, njërit nga autorët e krimit, njëri nga arkitektët kryesorë të gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, në Bosnje dhe Kosovë dhe duke pasur këtë arkitekt duke dhënë këshilla në prezencë të viktimave dhe të mbijetuarave duhet të na bëjë të mendojmë për sensin e këtyre konferencave”, kishte pohuar ajo.

(Kosova Sot Online )