Gexha: Jam e tronditur dhe nuk po mund ta shpreh indinjatën

  • A.P /
  • 30 November 2022 - 23:01
Gexha: Jam e tronditur dhe nuk po mund ta shpreh indinjatën

Pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gexha përmes një shkrimi në Facebook tha se është e tronditur dhe nuk po mund ta shpreh indinjatën për këtë rast makabër.
Ajo u ka shprehu familjarëve e miqve të viktimës ngushëllimet më të sinqerta, duke shtuar se do të angazhohet aq sa ka forcë për rastin.

“Si një grua dhe nënë e dy vajzave, si mjeke, nuk dua që ato e asnjë grua e vajzë tjetër të ndihen të pasigurta në shoqërinë tonë. Për këtë do të angazhohem me të gjitha forcat që kam”.

Postimi i plotë:

Plumba mbi një grua – burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë. Plumba që shuan një jetë që sapo po zinte fill. Në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë ku gruaja po priste të bëhet nënë!

Si për ironi të fatit, si sot para 17 vitesh, isha vet e shtruar po në këtë klinikë, që të nesërmen të lindja fëmijën tim të parë, fat që kësaj gruaje ia morrën plumbat e shkrepur nga ky burrë mizor.

E tronditur, sa mezi po shkruaj, shpreh indinjatën më të thellë për këtë rast makabër.

Ju bëjë thirrje organeve relevante që të veprojnë pa kompromis.

Familjarëve e të afërmëve ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Qëndroj pranë e solidarizohem edhe me punonjësit shëndetësor e gratë e shtruara në këtë klinikë që ky akt makabër i ka tronditur.

Si një grua dhe nënë e dy vajzave, si mjeke, nuk dua që ato e asnjë grua e vajzë tjetër të ndihen të pasigurta në shoqërinë tonë. Për këtë do të angazhohem me të gjitha forcat që kam.

(Kosova Sot Online)