Ky është mesazhi i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë

  • A.P /
  • 02 December 2022 - 20:23
Ky është mesazhi i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë

Të veprojnë në mënyrë evropiane dhe të shmangin veprimet dhe retorikën që mund të nxisë tensione, është thirrja e Bashkimit Evropian drejtuar së fundi Kosovës dhe Serbisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

Komentet pasuan reagimin e zemëruar të Beogradit ndaj emërimit të ministrit të ri për komunitete në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, një politikan i moderuar në vend të ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në mbrëmje reagoi me gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ministrit Rashiç, por edhe siç tha reagimit të butë të Bashkimit Evropian. Madje ai paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në takimin e bllokut me Ballkanin Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë.

Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano tha të premten se Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të veprojnë në mënyrë evropiane.

“Nëse keni aspirata evropiane, silluni në mënyrë evropiane. Mënyra evropiane do të thotë të përmbaheni nga hapat e njëanshëm, të përmbaheni nga hapat që rrisin konfrontimin, që çojnë në përshkallëzim dhe të angazhoheni në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë evropiane”, tha zoti Stano.

(Kosova Sot Online)