Macron: Arkitektura e re e sigurisë duhet të japë garanci për Rusinë

  • A.P /
  • 04 December 2022 - 10:46
Macron: Arkitektura e re e sigurisë duhet të japë garanci për Rusinë

Perëndimi duhet të shqyrtojë se si të trajtojë nevojën e Rusisë për garanci sigurie nëse presidenti Vladimir Putin bie dakord për negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, tha presidenti francez Emmanuel Macron, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një intervistë me stacionin televiziv francez TF1 të regjistruar gjatë vizitës së tij shtetërore në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, Macron tha se Evropa duhet të përgatisë arkitekturën e saj të ardhshme të sigurisë.

“Kjo do të thotë se një nga pikat thelbësore që duhet të trajtojmë – siç ka thënë gjithmonë presidenti Putin – është frika se NATO do të vijë deri në dyert e saj dhe vendosja e armëve që mund të kërcënojnë Rusinë”, tha Macron.

"Kjo temë do të jetë pjesë e temave për paqen, kështu që ne duhet të përgatisim atë që jemi gati të bëjmë, si t'i mbrojmë aleatët tanë dhe vendet anëtare dhe si t'i japim garanci Rusisë ditën që ajo të kthehet në tryezën e bisedimeve." tha Macron.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë të dyja këtë javë se janë të hapura për bisedime në parim, megjithëse presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai do të bisedonte me Putinin vetëm nëse shefi i Kremlinit tregonte se ishte i interesuar për t'i dhënë fund luftës. Ukraina thotë se negociatat janë të mundshme vetëm nëse Rusia ndalon sulmet dhe tërheq trupat e saj.

(Kosova Sot Online)