Shembja e paligjshme e “Prestige Resort”, Bylykbashi reagon ashpër: Ndërtimet pa leje në Tiranë nuk i prek askush, jemi kthyer 31-vite pas

  • E.K /
  • 05 December 2022 - 15:41
Shembja e paligjshme e “Prestige Resort”, Bylykbashi reagon ashpër: Ndërtimet pa leje në Tiranë nuk i prek askush, jemi kthyer 31-vite pas

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka reaguar lidhur me shembjen e paligjshme të “Prestige Resort” gjatë ditës së djeshme.

Përmes një lidhjeje për News 24, Bylykbashi u shpreh se ajo që ndodhi me “Prestige Resort” është një spektakël i frikshëm dhe nuk është zbatuar parimi i proporcionalitetit.

Ai shtoi se vendi është kthyer 31 vite pas, ku rrezikohet pluralizmi politik në vend dhe sipas tij, vetëm përmes protestave mund të kthehet situata ën normalitet.

“Në rastin konkret, mbetet për t’u parë, me ç’ka ndodhur deri më sot, unë mendoj se do të vijojë njësoj. Unë mendoj se ata që shkelën të drejtat, duhet të arrestohen. Disa prej personave arrestohen vetëm se ndërtuan në shtëpinë e tij… Kryeministri ndihet i pandëshkueshëm sepse drejtësinë e ka nën kontroll. Duhet bërë një diferencë. Mes Tiranës janë ndërtime pa leje, ndërkohë kemi një ndërtim tjetër që është rasti i “Prestige Resort”, që ka leje dhe shkatërrohet përmes një spektakli të frikshëm. Pavarësisht se çfarë shkeljesh mund të ketë pasur me lejen e ndërtimit, duhet dënim proporcional.

Gjykata është krejt anemike për të vendosur të drejtat kushtetuese në këtë vend. Nesër ne kemi vendosur për të dalë ditën e nesërme në protestë, për t’i treguar vendeve të BE-së se me çfarë qeverie kanë të bëjnë. E drejta ime është para sistemit të drejtësisë dhe në gjykatë unë shkoj kur administrata më shkel të drejtat. Nuk vendoset e drejta përmes deklaratave të ambasadorëve. Samiti i nesërm nuk është atje për t’i bërë fresk kryeministrit. Neve na lind e drejta që përmes procesit të integrimit në BE, ky shtet të mos kthehet në një shtet që njerëzit ikin nga sytë këmbët. Jemi kthyer në një shtet varkash, ku fëmijët ikin dhe nuk kthehen më tek familjet e tyre. Në mënyrë figurative ajo protestë i thyen vetratën këtij kryeministri. Pra është një rast perfekt për shqiptarët ky.

Nuk do të ndodhte protesta nëse do të ishim në një vend normal. Edhe njëherë do të nënvizojë diçka që thashë më herët. Vënia në rrezik e pluralizmit politik në këtë formë. Për pak ditë ne bëjmë 31 vite nga themelimi i PD-së. Ajo që rrezikojmë tani përmes skemave për të mbajtur peng përmes padive absurde dhe një sjelljeje të paligjshme që nuk ka shpallur ende se kush janë drejtuesit e Partisë Demokratike. Edi Rama bën çmos që ta copëtojë PD-në në copa të vogla. Ne nuk do ia japim kurrë këtë mundësi. Ajo që duhet të kenë parasysh shqiptarët dhe europianët është që pluralizmi është në rrezik. Pra le të kuptojmë, jemi te themelet që studentëve iu desh të ngriheshin në vitin 1990.”, u shpreh Bylykbashki.

(Kosova Sot Online)