Albin Kurti kërkon zgjerimin e lidhjeve me SHBA

  • A.P /
  • 05 December 2022 - 16:45
Albin Kurti kërkon zgjerimin e lidhjeve me SHBA

Sot në takim ndihmës-administratoren e USAID-it, Erin E. McKee, e ka pritur kryeministri Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Kurti e ka falënderuar për rolin dhe ndihmën e dhënë të USAID-it në Kosovë.

Ai tha se në takim kanë diskutuar për përpjekjet e USAID që po gjejnë zbatim në Kosovë dhe ndihmat e reja.

“Ndihma e USAID deri më sot kap mbi 1 miliard dollarë dhe përshkon secilën fazë të historisë sonë të re si shtet dhe secilin sektor të zhvillimit të vendit tonë. Për secilin dollar ne jemi mirënjohës, si popull, si vend dhe si institucione”.

Kurti tha se në takim e ka njoftuar McKee me indikatorët e fundit ekonomikë e demokratikë, për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.   

“Me SHBA-në ndajmë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta. Me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi dhe demokraci. Tek USAID gjejmë edhe Shtetet e Bashkuara si shtet edhe popullin mik amerikan. Andaj, le t’i zgjerojmë lidhjet dhe le ta thellojmë bashkëpunimit në shërbim të dy vendeve dhe dy popujve tonë mbi bazën e vlerave dhe bindjeve që ndajmë”.

Nga ana tjetër, McKee tha se vizita e saj në Kosova i dha mundësinë që të takohet me kosovarët në shumë sektorë të shoqërisë; pronarë biznesesh, të rinj, OJQ etj.

“Shpresa që ata ndajnë për të ardhmen europiane për Kosovën është më të vërtetë frymëzuese. Qeveria e SHBA mbështet qeverinë e Kosovës që të forcojë edhe më tej partneritetet me shoqërinë civile, sektorin privat dhe gjithë qytetarët”, tha McKee.

Ajo u zotua se SHBA do të jetë gjithmonë e përkushtuar.

“T’i pajisim të rinjtë me ato shkathtësi që do t’i mundësonin atyre në mënyrë më aktive në zhvillimin e shoqërisë dhe demokracisë. Kjo s’mund të realizohet pa pasë një sundim të ligjit që do të tërheqë kompanitë e jashtme”.

(Kosova Sot Online)