Mediat ndërkombëtare: Grushti ndaj Sali Berishes që 'plagosi' jehonën e samitit

  • A.P /
  • 07 December 2022 - 16:31
Mediat ndërkombëtare: Grushti  ndaj  Sali Berishes që 'plagosi' jehonën e samitit

Akti i pashembullt i dhunës ditën e djeshme ndaj kryeministrit Sali Berisha, ka marrë vëmendjen jo vetëm të medias shqiptare, por edhe të asaj ndërkombëtare.

Të gjithë mediat më të rëndësishme e kanë pasqyruar atë që ka ndodhur, duke theksuar akuzat e ish-kryeministrit Berisha, i cili e konsideroi ngjarjen një sulm të pastër politik, por edhe pretendimet e policisë, kryeministrit Rama, apo të vetë nënës së agresorit.

Washington Post, Bild, Der Spiegel, CBS, La Repubblica kanë shkruar rreth incidentit që mesa duket la në hije Samitin e Bashkimit Europian dhe të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Rrjeti televiziv amerikan CBS shkruajti për arsyen e protestës, motivet e incidentit, si dhe këndvështrimet e e zërave të ndryshëm rreth tij.

“Lideri 78-vjeçar i Partisë Demokratike të opozitës shqiptare u godit me grusht në fytyrë të martën gjatë një proteste antiqeveritare në kryeqytetin e vendit. Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, po drejtonte protestuesit drejt një samiti të liderëve botërorë në Tiranë, kur një burrë shpërtheu papritur mes turmës dhe e goditi me grusht në fytyrë. Videoja e incidentit tregon se agrasori është ndaluar me shpejtësi dhe më pas është rrahur. Berisha është fotografuar menjëherë me sy nxirë”.

Në artikull përdoren dhe referenca nga agjencia e lajmeve Associated Press, e cila shkruan se “Berisha po drejtonte një turmë që protestonte për korrupsionin e dyshuar të kryer nga kryeministri Edi Rama, të cilin shumë e fajësojnë për një rritje të madhe të kostos së jetesës së vendit”.

Gjithashtu citohej edhe deklarata e nënës së 31-vjeçarit Genti Shehu për Euronews Albania, e cila thoshte se veprimi i djalit të saj nuk ka asnjë prapavijë politike.

“Nuk dua që fatkeqësia e djalit tim të përdoret nga policia”, tha ajo, sipas Euroneës. “Ka punuar si motoçiklist, duke shpërndarë pica. Nuk ka miq që merren me këto lloj gjërash. Absolutisht nuk është përdorur nga askush. Ka pasur probleme të ndryshme. Nuk ka pasur absolutisht asnjë lidhje politike. Nuk shkon as të votojë. Nuk e di pse doli në protestë sot”.

Lexo edhe:

Qëllohet me grusht Sali Berisha (VIDEO)

Gjigandi mediatik “Der Spiegel” tregon shkurtimisht atë që ka ndodhur si dhe sjell një përmbledhje të shkurtër të karrierës politike të ish-kryeministrit Berisha.

“Në një konferencë shtypi pas incidentit, Berisha pretendoi se agresori ishte një informator i policisë kriminale. Kjo nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur”, shkruan Der Spiegel.

“Ai dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë pas një disfate elektorale nga socialistët e Ramës. Berisha u rikthye në kryesinë e partisë në maj të këtij viti pasi rrëzoi pasardhësin e tij dhe nxënësin politik, Lulzim Basha”, vijon media gjermane.

Agjencia e lajmeve Reuters vë në pah kurajën e kryeministrit Berisha, që ndonëse i gjakosur në fytyrë, vendosi të qëndronte në protestë duke iu drejtuar qytetarëve me mesazhet e tij në sheshin qendror të Tiranës.

“Kombi ynë po zhduket… Shqipëria është në rrezikun e saj më të madh ekzistencial në historinë e saj. Ne do ta shpëtojmë Shqipërinë,” i tha Berisha turmës, duke u zotuar të ndalojë krimin dhe varfërinë që po i shtyn njerëzit të largohen nga vendi.

Policia tha se sulmuesi kishte një të kaluar kriminale të lidhur me dhunën. Sulmi u dënua nga kryeministri Edi Rama.

Berishës i është ndaluar të hyjë në Shtetet e Bashkuara për shkak të akuzave për korrupsion, të cilat ai vetë i ka mohuar, shkruan Reuters.

Daily Mail nënvizon akuzat e drejtëpërdrejta të liderit të PD ndaj kryeministrit Rama për sulmin, duke thënë se ai donte të ndalonte opozitën nga organizimi i protestës.

“Zoti Berisha tha se sulmi ishte një “vepër kriminale kundër tij e nxitur nga policia e shtetit”.

Kryeministri socialist i Shqipërisë Edi Rama e dënoi ‘pa mëdyshje’ incidentin.

Berisha: I sëmuri psiqik i Ramës ka rinovuar patentën në 2022

“Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë mjet për të zgjidhur një problem apo shqetësim dhe kushdo që e përdor duhet të përballet me forcën e ligjit”, tha Rama në një deklaratë.

Shqipëria ka patur një rritje prej më shumë se 8 për qind të çmimeve këtë vit, veçanërisht për ushqimet bazë dhe karburantet.

Partia e zotit Berisha është goditur nga grindjet e brendshme pasi sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken vitin e kaluar ndaloi zotin Berisha dhe të afërmit e tij të ngushtë të hynin në SHBA për ‘akte korruptive që minuan demokracinë’ gjatë mandatit të tij si kryeministër 2005-2013. Britania e Madhe bëri të njëjtën gjë këtë vit”, shkruan media britanike Daily Mail.

Tabloidi gjerman Bild, ka marrë dhe një prononcim nga vetë kryeministri Berisha për ngjarjen:

“Nuk ishte vetëm një sulm ndaj meje, por ndaj gjithë opozitës në Shqipëri. Vështirë se mund të jetë rastësi që të dërgohet një bandit kundër meje, ndërsa kancelari gjerman po takohej me kreun e qeverisë sonë mafioze në Tiranë. Është koha që BE të kuptojë sa i rrezikshëm është Edi Rama”.

PD reagon për incidentin: Arsyet pse u sulmua Berisha

“Berisha dhe Rama vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion. Berisha e konsideron Ramën përgjegjës, ndër të tjera, për faktin se Shqipëria tashmë konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të trafikut të drogës në Europë. Përveç kësaj, Berisha akuzon Ramën se socialistët blejnë vota në zgjedhje me ndihmën e mafies. Rama, i cili ka kontakte të ngushta edhe me deputetë të rinj të CDU-së në Gjermani, e mohon këtë.

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë- OSBE, vërteton vazhdimisht se Shqipëria ka probleme serioze në zgjedhje, në luftën kundër korrupsionit dhe demokratizimin. Ekspertët kryesorë të Ballkanit, si shefi i politikës së jashtme për një kohë të gjatë në Parlamentin Europian, Elmar Brok i CDU, kanë paralajmëruar prej vitesh kundër anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE”, shkruan “Bild” në artikullin, që sipas saj, ka patur një lexueshmëri të lartë nga audienca gjermane.

(Kosova Sot Online)