Zhdukja e e mostrave të Astrit Deharit, Haxhiu paralajmëron suspendime

  • E.K /
  • 08 December 2022 - 13:37
Zhdukja e e mostrave të Astrit Deharit, Haxhiu paralajmëron suspendime

Sot, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i Toksikologjisë në kuadër të IML-së, përcjell "Kosova Sot Online".

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit kam konsideruar se është e rëndësishme të adresohem edhe publikisht. Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Dehari nga laboratori i Toksikologjisë në kuadër të IML-së. Ky është një akt i rëndë, një akt kriminal. Për këtë arsye menjëherë mbrëmë kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit z. Besim Kelmendi dhe drejtorin e policisë z. Fehmi Hoti.Sot në mëngjes kam vizituar IML-në dhe jam njoftuar nga zyrtarët kompetentë si në vijim. Mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga këto epruveta, instituti, 2 epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran dhe 1 policisë për ADN. Pra aktualisht sipas informacioneve, sepse nuk kam qasje në vendin ku mbahen ato. Mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra sipas informacioneve vetëm 3 persona i kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat. Çdokush që ka ndjekur sadopak rastin mbi vrasjen e Astrit Deharit dhe procesin hetimor për të, e ka të qartë se prej 6 vitesh të gjitha të dhënat, provat, dëshmitarët dhe çdo e rrethanë dhe faktor është synuar të shtrembërohet, zhduket apo eliminohet. Njëjtë ka ndodhur edhe me këdo që ka pasur vullnet për ta zbardhur këtë rast. Kujtojmë këtu rastin e mjekëve, ekspertëve që përgatitën raportin e veçantë mbi të gjeturat e raportit të autopsisë të përgatitur nga IML”, tha Haxhiu.

Unë besoj që sot do të përfundojë puna në suspendimin sepse legjislacioni në fuqi nuk lejon menjëherë shkarkimin, por suspendimin deri në një procedurë përfundimtare. Dhe sigurisht në përputhje me kompetencat e mia do të ndërmarrë edhe unë përgjegjësitë e mia apo do të ndërmarrë masa ndaj atyre të cilët kanë qenë në krye të institucionit, por që sipas njoftimit sot në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dukej që as nuk e kanë pasur mendjen te veprimet e përgjegjësitë e tyre”,tha Haxhiu.

“Menjëherë pas kësaj konferencë do të merren masa në përputhje me përgjegjësitë. Në fillim të mandatit ne e kemi filluar reformimin në IML. Për t’i ofruar të gjitha kushtet për punë dhe funksionalizim të plotë lidhur me kryerjen e punëve dhe përgjegjësive në akordim me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, siguria në IML as më herët nuk ka qenë në nivel por edhe me gjithë përpjekjet e tanishme ende nuk është në nivelin e duhur. Kemi dërguar edhe më herët raste në prokurori, pikërisht që kanë të bëjnë me raporte ndërkolegiale por që kanë dëmtuar raste të tilla, por tani kanë kaluar çdo kufi dhe nuk mund të lejohet çfarë ka ndodhur.Marrë parasysh që për këtë rast është kaq shumë vëmendje e monitorim i vazhdueshëm, përfytyroni çfarë mund t’i ndodh një rasti fatkeq që është jashtë syve të opinionit publik. Le të shërbejë ky rast për të kuptuar qytetarët se sa e thellë dhe e gjerë ka qenë ndikimi dhe kriminalizimi i elementëve të tillë. Kushdo që ka guxuar të bëjë këtë veprim mizor do të përballet me forcën e ashpër të ligjit”, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)