Borell: Evropës i mungojnë 'aftësitë kritike të mbrojtjes'

  • A.P /
  • 08 December 2022 - 14:30
Borell: Evropës i mungojnë 'aftësitë kritike të mbrojtjes'

Evropës i mungojnë "aftësitë kritike të mbrojtjes", tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Duke folur në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes (EDA) në Bruksel, Josep Borrell tha se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të shikojë jo vetëm luftën në Ukrainë, por të përballet me kërcënimet e ardhshme.

"Pas Luftës së Ftohtë, ne i zvogëluam forcat tona në ushtri të vogla pa koordinim ... Na mungojnë aftësitë kritike të mbrojtjes," tha Borrell, i cili është gjithashtu kreu i EDA, në një konferencë ku u zbuluan shpenzimet e mbrojtjes të vendeve anëtare të BE. "Ne duhet të kompensojmë vitet e nënshpenzimit," tha ai.

Shpenzimet totale të mbrojtjes të 26 vendeve anëtare të BE-së, me përjashtim të Danimarkës, u rritën në 214 miliardë euro (225 miliardë dollarë), sipas EDA.

Megjithëse shpenzimet e mbrojtjes së BE-së u rritën me 6% në 2021 krahasuar me vitin 2020, që ishte rritja më e fortë vjetore që nga fillimi i rimëkëmbjes në 2015, gjetja zbuloi se shpenzimet bashkëpunuese evropiane të mbrojtjes mbeten nën standardet.

“Shpenzimet totale të mbrojtjes që shtetet anëtare kanë njoftuar do të rriten me 70 miliardë euro të tjera në tre vitet e ardhshme”, tha Borrell.

"Por njerëzit nuk luftojnë me kartëmonedha. Ka shumë punë për t'u bërë. Kjo do të jetë një sfidë për t'i shpenzuar këto para në mënyrë të koordinuar. Nëse vendimet tona kombëtare fokusohen vetëm në nevojat aktuale ... do të të jetë përsëri një peizazh i fragmentuar i aftësive evropiane."

Ai nënvizoi nevojën për të gjetur "ekuilibrin e duhur" midis përgjigjes ndaj nevojave aktuale dhe përgatitjes për kërcënimet e ardhshme.

Borrell u bëri thirrje vendeve anëtare të bashkëpunojnë më shumë për të pajisur njëri-tjetrin me kapacitetet mbrojtëse që i duhen BE-së.


(Kosova Sot Online)