Rivello shpreh shqetësimin për procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare për shembjen e hotelit me tritol

  • A.P /
  • 08 December 2022 - 16:52
Rivello shpreh shqetësimin për procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare për shembjen e hotelit me tritol

Ish-prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Kasacionit në Itali, Pierpaolo Rivello shpreh shqetësimin për procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare për shembjen me tritol të “Prestige Resort”.

Ai i konsideron këto procedura të ndjekura si anomali, teksa shton se duhet të ekzistojnë mekanizmat e kontrollit dhe garancisë për të verifikuar vendimmarrjen për prishjen e resortit.

“Ajo që shoh më të çuditshme, mbi të gjitha anomalitë, është që duhet të ekzistojnë mekanizmat e kontrollit dhe të garancisë, si dhe të dhënat për të verifikuar ndërmarrjen ose jo të kësaj mase. Më ngjan se shpejtësia për të vepruar ka ndikuar negativisht për përshtatshmërinë e asaj që është bërë. Në këtë aspekt mund të na lindin një ose disa dyshime mbi atë çfarë ka ndodhur”.

Sipas juristit të njohur italian, institucionet nuk mund të shkonin menjëherë tek masa ekstreme e shembjes, por mund të vinin sekuestro, derisa legjitimiteti i objektit të vlerësohej në rrugë ligjore.

“Ky proces shembje i godinës është pasojë e një procesi të pakthyeshëm. Nga njëra anë ka penguar për të verifikuar nëse është bërë diçka e ligjshme ose jo. Nga ana tjetër ka penguar një hap që sot është themeltar, hapin e sekuestrimit paraprak. Për të verifikuar nëse kjo strukturë mund të kalonte në një funksion dhe përdorim për interes publik. Nuk jam unë që e vlerësoj një gjë të tilla, por jam shumë i sigurt që kjo godinë mund ti sillte një të mirë interesit publik dhe komunitetit”.

I njohur me mënyrën sesi Prestige Resort u shkatërrua, profesor Rivello thotë se ekzistojnë të gjitha rrethanat që prokuroria shqiptare të nisë hetimet mbi zyrtarët të cilët dhanë urdhrin dhe drejtuan aksionin e paligjshëm për shembjen e godinës.

I pyetur nëse sulmi ndaj Prestige Resort, është një sulm ndaj medias së lirë, përderisa pronari i hotelit është njëherazi pronar i disa mediave të rëndësishme në vend, Rivello shprehet:

“Të jem i sinqertë është një fakt i rrezikshëm dhe është e rëndësishme të qëndrojmë te respektimi i rregullave, te ligjit. Në të kundërt shndërrohemi në një far ëest të pakontrolluar kjo nuk është aspak e drejtë, jo vetëm në Shqipëri dhe as në ndonjë komb tjetër”.

Profesor Pierpaolo Rivello ndodhet në Shqipëri me ftesë të Universitetit Luarasi dhe të premten e 9 dhjetorit do të ketë një leksion të hapur me studentët.


(Kosova Sot Online)