Me 68 vota për miratohet projektligji për pagat

  • A.P /
  • 09 December 2022 - 19:37
Me 68 vota për miratohet projektligji për pagat

Projektligji për pagat në sektorin publik me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të parë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

Pozitë e opozitë kanë qenë pro projektligjit, megjithatë, partitë opozitare kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve. Të njëjtit kanë pasur kritika për rangimet dhe përcaktimet e koeficienteve.

Madje, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se askush nga të punësuarit e sektorit publik nuk e dinë vlerën e pagës me këtë projektligj.

Kryetari i Komisionit të Administratës Publike, Valon Ramadani ka rekomanduar miratimin e projektligjit për pagat në sektorin publik. Ai në emër të LVV-së, ka thënë se që nga paslufta nuk është arritur që të zgjidhet çështja e pagave në sektorin publik.

“Nevoja për një ligj të tillë është e madhe. Prandaj, ne si komision për Administratë Publike e proceduam me dakordim të plot këtë ligj. Dhe dëshiroj ta nis këtë fjalim duke falënderuar të gjithë anëtarët e komisionit pa dallim partie, sepse të gjithë u treguan bashkëpunues dhe votuan këtë ligj të propozuar nga qeveria”, ka thënë Ramadani.

(Kosova Sot Online)