I ekzekutoi dy kushërinjtë për sherrin e kanabisit, Daniel Pepaj qe dy vjet i fshehur në Malësi tregon pendesë për krimin

  • S.A /
  • 10 December 2022 - 12:26
I ekzekutoi  dy kushërinjtë për sherrin e kanabisit, Daniel Pepaj qe dy vjet i fshehur në Malësi tregon pendesë për krimin

Daniel Pepaj që ra në prangat e Policisë më shumë se dy vite pas vrasjes së dyfishtë të dy kushërinjve të tij në Vrith të Malësisë së Madhe, del të dielën, 11 dhjetor, para Gjykatës së Shkodrës për tu njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ora News mëson se prej tetorit të vitit 2020, kur dhe ndodhi vrasja, ai fshihej në territoret malore të Malësisë së Madhe, ndërsa ka dyshime se ndihmohej nga të afërmit për tu strehuar dhe shpëtuar policisë.

Pavarësisht se qëndronte prej kohësh nëpër vende malore, ai ka ndryshuar disa herë vendqëndrimet për t’ju ruajtur hakmarrjes por edhe autoriteteve, si dhe për të siguruar ushqim e veshmbathje.

Pepaj akuzohet për vrasjen e Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt në Vrith të Malësisë së Madhe, trupat e të cilëve u gjetën rreth një javë pas krimit në një parcelë hashashi të njëjtin fshat.

Më herët në pranga përfundoi Rrok Pepaj, babai i Danielit, i cili akuzohej si bashkëpunëtor në kultivimin e bimëve narkotike, aktivitet për të cilin edhe ndodhi krimi i dyfishtë. Danjel Pepaj vijonte arratinë, ndërsa i ati ka rrëfyer para drejtësisë se nuk ka pasur asnjë komunikim me të dhe që nuk di madje edhe nëse është gjallë apo jo.

Ky i fundit, sipas burimeve policore, në momentet e para të arrestimit, ka shfaqur pendesë për vrasjen e dy kushërinjve më 3 tetor 2020 duke artikuluar se ka gabuar që nuk është dorëzuar që ditën e parë.

Trupat e dy kushërinjve Vilson Çutaj, 37 vjeç dhe Klement Pepaj, 21 vjeç u gjetën të vrarë më 8 tetor pranë një parcele ku ishin kultivuar 29 bimë kanabis sativa.© SYRI.net

(Kosova Sot Online )