Sekuestrohen pasuri me vlerë 2 milion euro

  • A.P /
  • 12 December 2022 - 16:53
Sekuestrohen pasuri me vlerë 2 milion euro

Pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro janë sekuestruar nga policia në kuadër të operacionit “Relative”.

Pasuria e cila dyshohet se vjen nga veprimtari kriminale është në pronësi të bashkëshortese së Admir Muratajt i cili mbeti i vrarë gjatë grabitjes së një shume të konsiderueshme parash, në Rinas, në vitin 2019.

1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore, janë pasuritë e sekuestruara nga Policia.

Njoftimi:

Tiranë

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga aktivitetet kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Relative”.

Sekuestrohen pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 2 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Relative”.

Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetases A. A. (M)., 47 vjeçe, banuese në Tiranë.

Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 2 milionë euro, konkretisht:

•1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i shtetases A. A.(M.), shtetasi A. M., i cili ka mbetur i vrarë gjatë grabitjes së një shume të konsiderueshme parash, në Rinas, në vitin 2019.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar pasuri të tjera që kjo shtetase ose familjarët e saj mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

(Kosova Sot Online)