Erdogan: Turqia nuk do të heshtë ndaj sulmeve të nisura nga veriu i Sirisë

  • A.P /
  • 13 December 2022 - 20:18
Erdogan: Turqia nuk do të heshtë ndaj sulmeve të nisura nga veriu i Sirisë

“Nuk është e mundur që Turqia të heshtë ndaj sulmeve terroriste të nisura nga Siria veriore”, tha të martën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai po fliste me gazetarët në kryeqytetin Ankara përpara se të fluturonte për në Turkmenistan për të marrë pjesë në samitin e parë trepalësh Turqi-Azerbajxhan-Turkmenistan.

Erdogan tha: "Nuk është e mundur që Turqia të heshtë ndaj sulmeve terroriste të nisura nga Siria veriore", pa specifikuar datën e një operacioni të mundshëm tokësor përtej kufirit në veri të Sirisë për të eliminuar kërcënimin.

Turqia nuk do të bëjë kurrë kompromis për sulmet terroriste, tha Erdogan, duke shtuar se ai i kishte kërkuar presidentit rus Vladimir Putin të ndërmarrë hapa në këtë drejtim, duke iu referuar bisedimeve telefonike të së dielës midis dy liderëve për marrëveshjen e Soçit të vitit 2019.

“Fatkeqësisht ne përballemi me një kërcënim nga terroristët dhe së fundmi ai është rritur ndjeshëm”, shtoi ai.

Erdogan do të marrë pjesë në samitin e parë midis liderëve të Turqisë, Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit në qytetin perëndimor turkmen Awaza.

(Kosova Sot Online)