Detaje nga takimi i Kurtit me Escobar dhe Lajçak

  • A.P /
  • 13 December 2022 - 21:11
Detaje nga takimi i Kurtit me Escobar dhe Lajçak

Për takimin e kryeministrit Albin Kurti me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka njoftuar zyra e kryeministrit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Për dialogun me Serbinë dhe është arritur dakordim që barrikadat e vendosura në rrugët e veriut, duhet të hiqen.

“Diskutuan për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale. Në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

 Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Qeveria ka theksuar se Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër.​

Në njoftimin e qeverisë nuk është përmendur kërkesa e Escobar për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Pas takimit, në një deklarim për mediat, Escobar ka thënë se ka qenë “shumë i qartë” në këtë kërkesë të tij para kryeminsitrit të Kosovës.

“Unë e bëra të qartë edhe pritjen time që të fillojmë të flasim për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E bëra shumë të qartë, prandaj shpresoj që do të shohim angazhim gjatë kësaj krize në një të ardhme të afërt”, ka deklaruar Escobar pas takimit me Kurtin. 

(Kosova Sot Online)