Çfarë po kërkojnë Escobar dhe Lajçak për t’i hequr barrikadat në veri!

  • A.P /
  • 14 December 2022 - 16:02
Çfarë po kërkojnë Escobar dhe Lajçak për t’i hequr barrikadat në veri!

Të martën pasdite me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti u takuan i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Lajçak pas takimit tha barrikadat duhet të hiqen me marrëveshje politike.

“Jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo me buldozerë”, tha Lajçak.

Ai tregoi se ka pasur një “diskutim të gjatë me Kurtin”.

“Nuk do t’i bëj publike detajet, sepse jam në mes të misionit dhe do ta vazhdoj vizitën nesër në Beograd. Do të takohem me komandantin e KFOR-it dhe shefin të EULEX-it sonte, për t’i parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojmë të gjejmë zgjidhjet e mundshme, sepse kjo gjë nuk është e mirë. Unë nuk mendoj se kemi llogari që të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, tha Lajçak.

Escobar, ndërkaq, refuzon ta fajësojë dikë për barrikadat. Ai tha se më shumë dëshiron të flasë për rrugën përpara dhe që të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato”, tha Escobar në një intervistë.

Serbëve, Escobar tha se “duhet t’u ofrojmë një rrugë diplomatike për t’i adresuar ankesat – përmes kanaleve politike dhe përmes kanaleve diplomatike”.

Tutje ai pohoi se e ndan pjesërisht mendimin e Kurtit se barrikadat u vunë me ndikim të Beogradit, por tha se megjithatë, serbët në atë pjesë “i kanë disa ankesa që duhen dëgjuar”.

Escobar u takua edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe tha se shpreson që serbët të kthehen në institucione.

“Sigurisht që shpresoj në këtë, dhe shpresoj që kur të arrijmë një zgjidhje, e cila shpresoj të ndodhë shpejt – homologu im Mirosllav Lajçak është sot këtu – do të shohim largimin e barrikadave dhe do të shohim një rrugë përpara për riintegrimin. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i pranojë njerëzit që do të kthehen, ata që kanë të drejtë të kthehen, t’i lejojnë të kthehen. Dhe, më pas të lëvizim përpara në diskutimet për normalizim”, tha i dërguari amerikan.

(Kosova Sot Online)