Ja sa shqiptarë raportohen të arrestuar në “shtëpi bari” në Britani

  • A.P /
  • 14 December 2022 - 20:00
Ja sa shqiptarë raportohen të arrestuar në “shtëpi bari” në Britani

Një bandë kriminale shqiptare prej katër persona është kapur në Britaninë e madhe. Ata përdornin një shtëpi për rritjen dhe shpërndarjen e kanabisit.

Gjatë aksionit policia ka arrestuar katër burrat si dhe ka sekuestruar drogën e mbledhur në vlerë prej më shumë se 14 mijë paund së bashku me pasaportat.

Oficerët gjetën gjithashtu një numër telefonash celularë, dhe megjithëse mesazhet me tekst në to ishin në gjuhën shqipe, fotografitë, selfiet dhe videot e gjetura ishin me interes.

Të arrestuarit:

Ledian Xhafa, 35 vjeç

Lorenc Cobo, 37 vjeç

Renato Shyti, 23 vjeç

Elton Musta, 29 vjeç

Sipas mediave britanike, gjykata është shprehur se të gjithë telefonat e sekuestruar u ekzaminuan dhe u zbulua se përmbanin foto dhe video të një numri të të pandehurve që pozonin me shuma parash dhe bimë kanabisi, si dhe mesazhe të shkruara në gjuhën shqipe të cilat nuk janë përkthyer në anglisht.

Njëri nga telefonat përmbante edhe imazhe të faturave dhe kostove për blerjen e pajisjeve që lidhen me rritjen e kanabisit që shkonte në disa mijëra paund, megjithatë nuk dihet se çfarë ka ndodhur me ato artikuj.

Pas arrestimit, rezulton se të 4 shqiptarët nuk ishin me precedentë të mëparshëm penal dhe se në Britani po qëndronin ilegalisht.

Çfarë dëshmuan të arrestuarit?

Avokatja Alycia Carpanini, për Shytin, tha se i pandehuri erdhi në Mbretërinë e Bashkuar për të shlyer borxhet dhe pranoi se duhej të kishte ndaluar atë që po bënte kur kuptoi se aktivitetet ishin të paligjshme. Ajo tha se Shytit i vinte keq për turpin që i kishte sjellë familjes së tij dhe pas lirimit nga dënimi me burg me të cilin po përballej ai dëshiron të kthehet në Shqipëri dhe nuk ka ndërmend të kthehet në MB.

Andrew Evans, për Elton Mustën, tha se klienti i tij ka hyrë ilegalisht në vend “me ndihmën e të tjerëve” dhe me premtimin për punë.

Georgia Donoghue, për Ledian Xhafën, tha se klienti i saj hyri në Mbretërinë e Bashkuar tre vjet më parë pasi iu tha se puna ligjore do të ishte në dispozicion të tij dhe kishte gjetur punë me para në dorë në kantieret e ndërtimit. Ajo tha se Xhafa kishte qenë në shtëpinë Neath për rreth një muaj përpara se të arrestohej dhe pranoi se kishte qëndruar në pronë pasi kishte kuptuar natyrën e punës.

Clive Rees, për Lorenc Cobon, tha se i pandehuri ishte nga qyteti i Beratit në Shqipëri dhe kishte qenë një “njeri i respektuar” dhe instalues i mirë panelesh. Ai tha se klienti i tij kishte dashur t’i përdorte ato aftësi në Mbretërinë e Bashkuar dhe mund të konsiderohej siç duhet një migrant ekonomik.

(Kosova Sot Online)