Serbia sot t’i kërkojë KFOR-it për dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë

  • E.K /
  • 15 December 2022 - 09:35
Serbia sot t’i kërkojë KFOR-it për dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë

Qeveria e Serbisë, pritet që sot të vendosë për dërgimin e kërkesës në KFOR për dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë, përcjell "Kosova Sot Online".

Institucionet e Kosovës kanë qenë kundër kësaj retorikë nga ana e Serbisë të cilët e kanë konsideruar si luftënxitëse.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do ta paraqesë kërkesën zyrtare në KFOR për rikthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë sipas Rezolutës 1244, të cilën përfaqësuesit serbë e lajmëruan pas vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.

Çka thotë Rezoluta 1244 për çështjen e kthimit të forcave serbe në Kosovë?

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

“Pas tërheqjes, një numri të caktuar të personelit serb dhe jugosllav do t’i lejohet kthimi në Kosovë për t’i kryer funksionet e mëposhtme:

– Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

– Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara;

– Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe;

– Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”, shkruan në aneksin 2 të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së për Kosovën.

(Kosova Sot Online)