Për t’iu shmangur barrikadave në veri serbët gjejnë 'rrugë alternative'

  • A.P /
  • 15 December 2022 - 16:12
Për t’iu shmangur barrikadave në veri serbët gjejnë 'rrugë alternative'

Për të gjashtën ditë radhazi që nga ngritja e tyre, shkaku i arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës po “zbulojnë” mënyra se si t’u shmangen barrikadave në rrugë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Banorët në veri të Kosovës, por ata nuk duan të flasin publikisht për këtë temë.

Në veri të Kosovës janë katër komuna me shumicë serbe – Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani. Fshatrat përreth këtyre qyteteve janë bërë “rrugë të rregullta” për të shmangur rrugët kryesore të bllokuara me makineri të rëndë.

Megjithëse Policia e Kosovës i ka mbyllur pikat kufitare në veri – Jarinjë dhe Bërnjak – të ashtuquajturat rrugë “alternative” përdoren për të shkuar nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Njëra nga to kalon nëpër fshatin Mure, i cili zyrtarisht i përket komunës së Rashkës, qytet kufitar në Serbi.

Të dhënat e siguruara i ka konfirmuar edhe drejtori i RTV-së lokale “Mir” nga Leposaviqi, Nenad Radosavleviq. Në ditën e dytë pas ngritjes së barrikadave, më 11 dhjetor, atij i ishte dashur të shkonte në Prishtinë, dhe, siç thotë ai, u detyrua t’i “anashkalojë” barrikadat. Ai thekson se kjo “nuk është aspak e lehtë”, edhe pse i njeh shumë mirë rrugët lokale, sepse ka lindur dhe jeton në komunën e Leposaviqit.

“Rruga nga Leposaviqi në Mitrovicën e Veriut zakonisht zgjat rreth gjysmë ore, mua m’u deshën një orë e gjysmë për të arritur në Mitrovicë. Këto rrugë janë shumë të këqija”, thotë Radosavleviq.

Megjithatë, ai thekson se tani për tani ata nuk kanë zgjidhje tjetër dhe shton se në ato rrugë lëvizin edhe patrullat e EULEX-it (Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit) dhe KFOR-it (misioni ushtarak paqeruajtës i NATO-s në Kosovë).

(Kosova Sot Online)