Krasniqi: Mos e merrni seriozisht Vuçiqin

  • A.P /
  • 15 December 2022 - 20:46
Krasniqi: Mos e merrni seriozisht Vuçiqin

Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se do t’i kërkojë KFOR-it kthimin e 1 mijë forcave serbe në Kosovë, nuk duhet të merret seriozisht, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 Krasniqi nënvizoi se ky veprim i Vuçiqit, nuk ka vlerë reale dhe se kjo bëhe vetëm për konsum të brendshëm në Serbi e për të rritur nacionalizmin.

“Nuk besoj, as që e meriton zoti Vuçiq në këto veprime teatrale që ai i ka zakon, të merret seriozisht. Normalisht, një kërkesë, një veprim i tillë tashmë ka bërë xhiron e lajmeve ndërkombëtare dhe është edhe një veprim shtesë që krijon perceptimin e tensionimit dhe jo vetëm perceptimin. Por një gjë e tillë as nuk mund të ndodhë dhe as nuk do të trajtohet asnjëherë seriozisht.

Gjithçka në raport me hyrjen e trupave të Serbisë në Kosovë ka përfunduar në qershor të vitit 1999 dhe asnjëherë më, asnjë ushtar i Serbisë nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është thjesht një veprim për konsum të brendshëm në Serbi, është një veprim për të rritur zjarret  nacionaliste, që fatkeqësisht janë rritur kohët e fundit, po nuk ka asnjë vlerë reale dhe legale”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)