Qeveria në përpjekje për ta shpëtuar Telekomin, i jep hua 20 milionë euro

  • S.A /
  • 16 December 2022 - 12:20
Qeveria në përpjekje për ta shpëtuar Telekomin,  i jep hua 20 milionë euro

Qeveria e Kosovës ia ka dhënë hua  20 milionë euro Telekomit për investime infrastrukturore. Vendimi doli nga mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës, transmeton "Kosova Sot Online". Ministri i Financave, Hekuran Murati u shpreh se këto mjete për vitin aktual do të ofrohen në vlerë prej 5 milionë euro, ndërsa 15 milionët e tjerë do të ofrohen vitin e ardhshëm.

“Kërkesa për hua që kemi pranuar nga Telekomi i Kosovës që ka të bëjë me financimin e investimeve në infrastrukturën apo në përditësimin e infrastrukturës që kanë dhe teknologjisë dhe procesin e prokurimit që tashmë e kanë përmbyllur.

Fillimisht marr parasysh që jemi në  përmbyllje të këtij viti fiskal dhe me anë të ligjit të buxhetit kemi paraparë shumën prej 40 milionë euro e cila në masën e madhe  mbi 32 milionë euro është shfrytëzuar për KOSTT dhe Telekom përfundimisht, shuma e mbetur pra mund të dedikohet para mbylljes të këtij viti fiskal, kurse pjesa tjetër që mbetet për financimin e projektit investiv ashtu siç ka kërkuar Telekomi të kryhen me procesin e vitit fiskal, kërkesa është që aprovohet një huadhënie deri në 5 milionë euro për Telekomin për këtë vit fiskal kurse pjesa tjetër e mbetur prej 15 milionë të trajtohet  në vitin e ardhshëm me buxhetin e ri  në tërësi kërkesa nga Telekomi ka qenë 20 milionë euro”, theksoi ai.

Këtë e mirëpriti, e para e ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila tha se me këtë huadhënie për Telekomin po përmirësohet cilësia e shërbimit për konsumatorët.

(Kosova Sot Online )