A ka kërkuar ndihmë Kosova për ta bartur Dejan Pantiqin!

  • A.P /
  • 16 December 2022 - 16:00
A ka kërkuar ndihmë Kosova për ta bartur Dejan Pantiqin!

Ndihmë për ta bartur të arrestuarin Dejan Pantiq nga Jarinja në stacion policor, autoritetet kosovare i kanë kërkuar EULEX-it, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Derisa nuk janë përgjigjur nëse e kanë refuzuar këtë kërkesë, por Pantiq akoma mbahet një stacion të improvizuar, matanë barrikadave.

Autoritetet e Kosovës nuk tregojnë se ku saktësisht po mbahet Dejan Pantiq, i arrestuar nën dyshimet për sulm terrorist. Thuhej se Policia nuk ka arritur ta çojë në qendër të paraburgimit, për shkak të barrikadave dhe ai po mbahej në Jarinje. Aty edhe ishte arrestuar, nga policët e Kosovës, që po ashtu kanë mbetur të bllokuar, pas barrikadimit të rrugëve më 10 dhjetor.

Sipas raportimeve pasi nuk kanë arritur ta transferojnë vetë të arrestuarin, i kanë kërkuar ndihmë EULEX-it, por ky mision nuk i ka asistuar. Nga EULEX e kanë konfirmuar se autoritetet kosovare ia kanë bërë një kërkesë të tillë.


“Ne e konfirmojmë që EULEX-i e ka marrë një kërkesë nga autoritetet e Kosovës për të ndihmuar në transferimin e D.P”, thuhet në përgjigjen e këtij misioni.

Dejan Pantiq është një ish-polic i Kosovës, që është arrestuar nën dyshimet për organizimin e sulmit ndaj pjesëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe të Policisë, në veri të Mitrovicës, më 6 dhjetor.

Zyrtarë serbë dhe mediat serbe kanë thënë se gjendja e Pantiqit është e keqe dhe se ai nuk po trajtohet mirë. Këtë e ka mohuar Policia, ndërsa EULEX thotë se është duke e monitoruar rastin.

“Misioni është në kontakt me Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale, Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe gjithashtu me avokatin e D.P. Në linjë me mandatin e vet, EULEX është duke e monitoruar rastin për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës”, kanë thënë nga EULEX të premten.

Avokati i Pantiqit, Serxhan Mitroviq, ka thënë për mediat serbe në Kosovë se Pantiq po mbahet “në një objekt në Jarinje” dhe se është i lodhur. EULEX gjatë javës ka lënë të kuptohet se ai po mbahet në Leposaviq.

(Kosova Sot Online)