Krasniqi: Hiqni ato barrikada të turpshme, e ardhmja jonë po rrezikohet

  • E.K /
  • 17 December 2022 - 14:03
Krasniqi: Hiqni ato barrikada të turpshme, e ardhmja jonë po rrezikohet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se barrikadat duhet të hiqen menjëherë në pjesën veriore të Kosovës, duke mos pasur vonesë, raporton "Kosova Sot Online".

Më tej, Krasniqi ka shkruar se sovraniteti i shtetit po cenohet, kurse e ardhmja  po rrezikohet.

Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria, në plotësimin e kushteve për Policinë e Kosovës që zbatojnë rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës.

Postimi i plotë:

Për kë bie këmbana?

Në pjesën veriore të Kosovës po ndodhë pikërisht ajo që kemi paralajmëruar ditë më parë dhe, e cila, në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë. Barrikadat po kthehen në përditshmëri para syve të Qeverisë. Vetëm pse Qeveria po heshtë dhe po e injoron si fakt, kjo nuk do të thotë se në pjesën veriore nuk po krijohet një realitet i ri. Për ata që kanë veshë për të dëgjuar, e sy për të parë, këmbana po bie. Fuqishëm. Zëshëm.

Vështrimi nga larg nuk është zgjidhje. Kompromiset e mëtutjeshme, edhe më pak. Ushtrimi i sovranitetit dhe i shtetit ligjor, si dhe funksionimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe konsistent institucional. Barrikadat duhet të hiqen pa asnjë vonesë.

Duke qëndruar me Policinë e Kosovës, kërkojmë urgjentisht nga Qeveria plotësimin e kushteve të tyre, që ata të zbatojnë rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës. Koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të shtetit tonë.

Për atë çfarë mund të bëhet sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Kosova nuk e ka këtë komoditet. Sovraniteti i shtetit tonë po cenohet. E ardhmja jonë po rrezikohet. Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën!

(Kosova Sot Online)