Cerimagic: Kosova mund ta përjetojë të njëjtën histori si vendet e tjera të Ballkanit

  • A.P /
  • 20 December 2022 - 20:43
Cerimagic: Kosova mund ta përjetojë të njëjtën histori si vendet e tjera të Ballkanit

Kosova mund ta përjetojë të njëjtën histori në tentativën e saj për të hyrë në BE sikurse pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka deklaruar analisti boshnjak, Adnan Cerimagic, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Sipas tij, s’do të trajtohet ndryshe nga to në aspektin e procedurave për shkak të pesëshes mosnjohëse.

Ai merr shembull Bosnjën me gjithë telashet që ka me funksionimin e saj si shtet dhe me mosbesimin që e përcolli atë në fazat pas dorëzimit të aplikimit.


“Disa që e shohin Bosnjën si një shtet të dështuar dhe të komplikuar, e të paaftë për t’u reformuar, madje u bënë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të refuzojnë haptazi kërkesën për anëtarësim të Bosnjës. Shumë shpresonin që aplikacioni ynë të qëndronte në një sirtar për vite me radhë. Ajo që pasoi ishte shumë e çuditshme”.

Për problemin unik që ka Kosova me pesë shtetet që s’e pranojnë, Cerimagic thotë se tashmë ato shtete janë pajtuar me perspektivën europiane të Kosovës dhe se këtë e kanë bërë edhe kur bënë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.

Sipas tij, Kosova ka bërë mirë që ka dorëzuar dosjen në BE tani sepse vonesa e saj do të ishte arsyetim i BE-së për mospunën e saj. Cerimagic, i cili është njohës i procesve integruese europiane, rekomandon që shtetet anëtare pa debat t’ia përcjellin aplikimin e Kosovës KE’së deri në mars të vitit 2023.

*Cerimagic është analist senior në Iniciativën Europiane të Stabilitetit (ESI) – një institut europian me seli në Berlin, Bruksel dhe Vjenë.

(Kosova Sot Online)