Publikohet një ‘non-paper’ nga takimi ‘sekret’ në Zvicër: 'Asociacioni të formohet'

  • A.P /
  • 20 December 2022 - 18:34
Publikohet një ‘non-paper’ nga takimi ‘sekret’ në Zvicër: 'Asociacioni të formohet'

Derisa tensionet janë rritur si kurrë më parë në Kosovën veriore, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan në nëntor dhe u pajtuan për disa çështje shumë të rëndësishme. Diku në Solothurn, qytetin e vjetër në veri-perëndim të Zvicrës ishte vendtakimi, 

 

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës ka konfirmuar të hënën se zyrtarë të partive të Kosovës dhe të Serbisë janë takuar në Zvicër një javë pasi serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare. Mediumi zviceran “NZZ am Sonntag” paraprakisht raportoi për këtë në fundjavë, ndërsa “Kosovo Online”, një medium serb, i përmendi emrat e pjesëmarrësve.

 

Takime të tilla organizohen nga viti 2015 nga institucioni amerikan joqeveritar, Këshilli për Qeverisje Gjithpërfshirëse, me mbështetje të kryediplomacisë zvicerane. Kjo organizatë merret me lehtësimin e dialogut konstruktiv si mjet për të nxitur bashkëpunimin ndërpartiak, marrëveshjen ndëretnike dhe bashkëpunimin ndërshtetëror, dhe kryen analiza të çështjeve të politikave bashkëkohore.

 

Këshilli për Qeverisje Gjithpërfshirëse e përshkruan si racionale, largpamëse e konstruktive atmosferën në këtë takim. Përfaqësuesit kosovarë dhe ata serbë u pajtuan për një “non-paper” me shtatë pika, të cilin Zvicra do ta dorëzojë në Prishtinë dhe Beograd.

Pjesëmarrësit në këtë takim ishin ndarë në grupe dy nga dy për të diskutuar për sugjerimet dhe hapat e ardhshëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata gjetën konsensus për t’i bërë së bashku disa rekomandime për dialogun.

‘Non-paper’-i u publikua në faqen e Këshillit për Qeverisje Gjithpërfshirëse. “Lajmi i mirë është se palët kanë rënë dakord të angazhohen. Disa pjesëmarrës, të cilët e kishin parë propozimin (franko-gjerman) thanë se korniza përfaqëson një bazë të mirë për negociatat, por se duhet të bëhet shumë punë për një marrëveshje, edhe nëse ose kur palët e pranojnë kornizën”, u tha në një njoftim pas takimit.

Pika e parë e ‘non-paper’-it thotë se “lufta në Ukrainë ka krijuar një momentum strategjik për një proces të përshpejtuar të integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike”.

Pika e dytë thotë se është në interes të përbashkët kombëtar të Kosovës dhe Serbisë që të zhvillojnë marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme.

Pika e tretë trajton ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Përfaqësuesit nga Kosova dhe ata nga Serbia thanë se janë të shqetësuar për situatën e sigurisë atje. Thuhet se “nevojitet të ndërmerren veprime specifike pa vonesë për ta adresuar situatën aktuale”.

Pika e katërt e ‘non-paper’-it përmend thirrjen e pjesëmarrësve të këtij takimi për t’i shumëfishuar përpjekjet “për t’i adresuar çështjet afatgjata”. Ata do ta mirëprisnin një iniciativë të fortë të palës së tretë për ta mbështetur Kosovën dhe Serbinë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Kjo marrëveshje, u tha se “po bëhet urgjente”.

Pika e pestë thekson thirrjen e pjesëmarrësve për Bashkimin Europian, Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në që ta krijojnë një kornizë të re të fuqishme për t’i udhëhequr Kosovën dhe Serbinë përmes një procesi negocimi “që përfundimisht do të rezultojë me një marrëveshje të tillë”.

Pika e gjashtë flet për angazhimin ndërkombëtar dhe të Kosovës e Serbisë që ta krijojnë “një udhërrëfyes për negociatat duke përfshirë edhe afatet kohore”.

Pika e fundit thekson se pjesëmarrësit mirëpresin “palë të treta të tjera me përvojë dhe të përkushtuar për ta mbështetur këtë proces sipas nevojës”, dhe kërkesën që ky dokument t’u dorëzohet palëve.

Përveç ‘non-paper’-it, përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë i dhanë disa rekomandime, “disa të bazuara në konsensus dhe disa në marrëveshje të gjerë”.

(Kosova Sot Online)