Zemaj për rastin e foshnjës së vdekur në Spitalin e Pejës: Krim i rëndë, i frikshëm, është krim makabër

  • E.K /
  • 23 December 2022 - 13:18
Zemaj për rastin e foshnjës së vdekur në Spitalin e Pejës: Krim i rëndë, i frikshëm, është krim makabër

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në seancës në Kuvendin e Kosovës ka folur për rastin e foshnjës së vdekur e cila është futur në rrobalarëse me çarçafë në Spitalin e Pejës, përcjell "Kosova Sot Online".

Zemaj rastin në Spitalin e Pejës, me foshnjën e vdekur e cilëson si krim të rëndë.

Deputeti, tutje ka shtuar se fshehja e këtij rasti nga shteti është krim makabër.

“Rasti tragjik i foshnjës së vdekur në Spitalin e Pejës e cilësojmë si krim të rëndë, dhe për më keq është tentuar të fshihet nga pushteti për tetë ditë me radhë. E kemi thënë në vazhdimësi se kjo qeveri e cila ka prodhuar në vazhdimësi tri ministra të shëndetësisë për dy vite, përfshirë Kurtin si të vetë emëruar të vetëvendosur…Për foshnjën e pajetë që pretendohet se është futur në rrobalarëse me çarçafë në Spitalin e Pejës, i ka kaluar të gjitha limitet. Është tepër i rëndë, i frikshëm, është kulmi i krimit, ndërsa fshehja e rastit nga shteti është krim makabër”, ka thënë Zemaj.

“Ajo që është bërë e ditur Spitali i Pejës e ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në, por këta të fundit e kanë fshehur për tetë ditë këtë rast të tmerrshëm, duke u bërë kështu edhe bashkëpjesëmarrës në këtë krim. Këta njerëz duhet të shkarkohen dhe të dënohen menjëherë. Kryeministri Kurti është i pari i cili duhet ta shkarkojë veten nga pozita e drejtuesit të shëndetësisë. Kryeministër pas këtij dështimi tënd të faktuar së paku mundohu ta emërosh një ministër të Shëndetësisë dhe atë sa më parë”, ka thënë ndër të tjera Zemaj.

(Kosova Sot Online)