Hoxha: Negociatorët e dialogut duhet të vijnë nga shtete që e njohin Kosovën

  • A.P /
  • 25 December 2022 - 12:01
Hoxha: Negociatorët e dialogut  duhet të vijnë nga shtete që e njohin Kosovën

Shtatë këshilla Bashkimit Europian se si duhet të ndërmjetësojë mes Kosovës dhe Serbisë, ia ka dhënë anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ndryshimi i drejtë i sjelljes së Brukselit mund të përcaktohet shkurt në pak linja”, shkruan Hoxha në Facebook, duke renditur më pas shtatë pikat.

“Negociatorët e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vijnë nga shtete që e njohin Kosovën, pasi këta janë 80% e shteteve të BE”, shkruan ai.

Më pas, thotë se “duhet të jetë e qartë një herë e mirë se Vuçiçi bashkë me udhëheqjen e Serbisë nuk kanë ndryshuar as në aspektin e të drejtës dhe as në atë të regjimit”.


“Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen njëkohësisht me kushtin e njohjes së tyre të ndërsjellë”.

Më tej, anëtari i LVV-së thotë se “nuk duhet të ketë relativizim të vendimeve të GjND në horizontin e dialogut dhe as në gjendjen faktike të shteteve të Kosovës dhe Serbisë”.

“Shtetet që ndihmojnë Serbinë me investime, vetëm mirëmbajnë politikën ruse në Ballkan, pra në thellësi të Evropës”, shkruan ai.

“5 shtetet që nuk kanë njohur ende Kosovën, janë shtete që në thelb mbështesin, me dashje apo pa dashje, interesat gjeopolitikë dhe gjeoekonomikë të Rusisë, sidomos në realitetin e agresionit rus mbi Ukrainën”, shton ai në pikën tjetër.

Në fund, Hoxha ka një këshillë edhe për KFOR-in.

“Sa për KFOR-in, ky duhet të kuptojë se nuk është aty për të legjitimuar kërkesat e Beogradit, por për të ruajtur  stabilitetin, i cili mund të vihet në rrezik vetëm prej Serbisë”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)