Wigemark: Një ekip mjekësor i EULEX-it ekzaminoi Pantiqin

  • A.P /
  • 25 December 2022 - 12:25
Wigemark:  Një ekip mjekësor i EULEX-it ekzaminoi Pantiqin

Një ekip mjekësor për ta kontrolluar ish-policin serb, Dejan Pantiq, i cili u arrestua si i dyshuar për sulm ndaj institucioneve të Kosovës në veri, e kanë dërguar mbrëmë, ka njoftuar shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se ky është kontrolli i dytë mjekësor që i është bërë Pantiqit.

“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it dje në mbrëmje ekzaminoi z. D.P. i cili është ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është ekzaminimi i dytë mjekësor i z. D.P. kryer nga një ekip mjekësor i EULEX-it. I pari u krye një javë më parë”, shkroi shefi i EULEX-it në Twitter.
Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë së fundmi se është duke e shqyrtuar mundësinë që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës për ta transferuar ish-policin Dejan Pantiq nga një stacion policor afër Jarinjës, në një qendër paraburgimi.

EULEX-i thotë se nuk është përgjegjës për mbajtjen në arrest të Pantiqit, i cili dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.


(Kosova Sot Online)