Me ndihmën e kujt u bë zëvendësimi i policëve të bllokuar në Leposaviq!

  • A.P /
  • 25 December 2022 - 16:22
Me ndihmën e kujt u bë zëvendësimi i policëve të bllokuar në Leposaviq!

Nga EULEX-i kanë konfirmuar se gjatë të shtunës në orët e pasdites, policët që kanë qenë të stacionuar në veri të Kosovës, janë zëvendësuar me disa të tjerë pas dy javëve që kishin qëndruar të bllokuar në mesin e barrikadave, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Ata kanë thënë se kanë asistuar në këtë gjë, pas një kërkese që kanë pasur nga Policia e Kosovës.

“Pas një kërkese formale të Policisë së Kosovës, më 24 dhjetor, EULEX-i shoqëroi një kolonë të policëve të rregullt të Policisë së Kosovës, të cilët bënin rotacion dhe zëvendësonin policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX.


Janë bërë 16 ditë që kur grupe të serbëve, vendosen barrikada në disa rrugë në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kështu arrestimin e ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Në veri të Kosovës janë vendosur gjithsejtë 11 barrikada. Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.

Policia e Kosovës ka shtrirë pikë kontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë-Leposaviq me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre edhe nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media të shtunën, Kurti tha se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por “barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur”.


(Kosova Sot Online)