Loja e fundit e dështuar e Aleksandër Vuçiqit me skenarin e provokimeve për t’ia vënë zjarrin Veriut të Kosovës

  • S.A /
  • 26 December 2022 - 12:30
 Loja e fundit e dështuar e Aleksandër  Vuçiqit me skenarin  e provokimeve   për t’ia vënë zjarrin Veriut të Kosovës

Serbia u përpoq seriozisht t’ia vë zjarrin veriut të Kosovës të dielën natën. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq sikur kishte paralajmëruar për këtë të mërkurën e javës së kaluar. Por plani dështoi, transmeton "Kosova Sot Online". 

Për fat askush nuk u lëndua nga disa të shtëna. Megjithatë, në Beograd insistojnë në synimin për t’i fryrë tensionit në atë pjesë të Kosovës, aq sa situata të shpërthejë në dhunë.

Pasi barrikadat e vendosura në veri të Kosovës po qëndrojnë të paprekura prej kur u vendosën dhe tensionet u ngritën edhe më shumë, mungon ende diçka për të shpërthyer dhuna. Këtë duket se po e kërkon seriozisht Beogradi.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq tha të mërkurën në Kuvendin e Serbisë se “jemi në prag të një konflikti të armatosur” dhe në fund të javës që sapo përfundoi u bë një përpjekje në terren për të krijuar një argument për këtë deklaratë.

Disa media serbe raportuan të dielën në mbrëmje se rreth orës 20:00 të së dielës ishin dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok dhe se të shtënat kishin ndodhur pasi Policia e Kosovës, sipas tyre, kishte dashur t’i hiqte barrikadat në këtë komunë në veri të Kosovës.

Policia reagoi më pas duke i demantuar këto pretendime.

“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi. PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, u tha në një njoftim për media.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i konfirmoi për Express se “ka dëgjuar dhe ka parë” të shtëna në afërsi të një patrulle në Zubin Potok. Por nga zyra për media e KFOR-it thanë se “nuk ka të lënduar dhe nuk ka dëme materiale”.

“Tani po i kontrollojmë faktet, ashtu siç kemi bërë do t’ju përditësojmë”, u tha më tej në përgjigjen e KFOR-it.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkroi në Facebook se “lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë”.

“Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ai.

Barrikadat tha se “duhet të hiqen menjëherë” dhe “Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.

“Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijnë pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit”, shkroi në fund ministri.

Për përpjekjen për ta nxitur një konflikt të armatosur në veri shkroi edhe Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani. Ai tha se “mediat pro-regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin afër Zubin Potokut”.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq mohoi se serbët kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it në Zubin Potok.

“Informatat tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. “Serbët në veri i respektojnë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë aty në përputhje me Rezolutën 1244”, ka thënë ai për televizionin serb, Pink.

Situata, sipas tij ishte “absolutisht e qetë”. Edhe pse ishin të parat mediat serbe që lansuan videot e dyshimta ku dëgjoheshin të shtëna armësh, Rakiq fajësoi mediat e Kosovës.

Për t’i fryrë më shumë krejt kësaj situate, Vuçiq takoi mbrëmë kryeministrin dhe shefin e  shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, tha mbrëmë se është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas kësaj koreografie kryeushtaraku serb pastaj është nisur për në Rashkë, në kufi me Kosovën.

Sipas Mojsiloviqit, situata është e tillë që kërkon praninë e ushtrisë serbe”. Ai tha se “detyrat që i janë dhënë ushtrisë serbe janë precize dhe të qarta”, pa shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq tregoi të dielën në mëngjes se nuk i ka pëlqyer aspak ndërrimi i policëve të bllokuar në Leposaviq për shkak të barrikadave. Duke njoftuar se 35 policë nga Ferizaj ishin pozicionuar në veri të Kosovës, ai tha ka lëvizje të vazhdueshme dhe se “këto tensione janë aq dramatike” sa, siç tha ai, mjafton diçka që “mund të vendosë gjithçka në zjarr”.

Mbrëmë mediat e Vuçiq njoftuan se shtetet e QUINT’it i kanë dërguar një ultiamtum Vuçiqit për barrikadat. Sipas tyre ka 24 orë afat për ta bërë këtë, e nëse kjo nuk ndodhë – nuk do të pengohet Qeveria e Kosovës t’i heq ato.

(Kosova Sot Online )