Ja me çka mund të përballen spitalet

  • A.P /
  • 02 January 2023 - 12:03
Ja me çka mund të përballen spitalet

Federata Gjermane e Spitaleve paralajmëroi për një valë "të paprecedentë" falimentimesh vitin e ardhshëm për shkak të krizës energjetike dhe inflacionit të lartë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

"Klinikat tona mund të goditen nga një valë falimentimesh në vitin 2023," i tha mediave lokale Gerald Gass, kryetari i grupit, duke shtuar se plani i ndihmës financiare të qeverisë ka qenë i pamjaftueshëm.

Sipas një sondazhi vjetor të kryer nga Instituti Gjerman Spitalor, 59% e spitaleve presin humbje masive financiare këtë vit dhe ata tashmë po operojnë me marzhe negative.

Aktualisht, vetëm 21% e spitaleve shpresojnë për një rezultat të balancuar për vitin financiar 2022.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 56% e spitaleve presin që situata ekonomike të përkeqësohet më tej vitin e ardhshëm.

Gass kritikoi reagimin joadekuat të qeverisë ndaj krizës aktuale.

“Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach kishte thënë se ilaçi ka përparësi ndaj ekonomisë, por ky mbetet një premtim bosh”, tha ai për gazetën RedaktionsNetzwerk Deutschland.

Gass tha se ndërsa plani i fundit i qeverisë për të kompensuar rritjen e çmimit të energjisë ishte një zhvillim pozitiv, ai nuk ishte i mjaftueshëm, pasi spitalet kanë nevojë për më shumë mbështetje financiare për shkak të rritjes së kostos së përgjithshme të lidhur me inflacionin.

Sipas vlerësimeve të Federatës Gjermane të Spitaleve, spitalet kanë nevojë për rreth 15 miliardë euro (16 miliardë dollarë) mbështetje financiare për të kapërcyer krizën aktuale.

(Kosova Sot Online)