Policia: ”Merdare” është mbyllur, shfrytëzoni pikat e tjera kufitare për qarkullim

  • E.K /
  • 28 December 2022 - 09:41
Policia: ”Merdare” është mbyllur, shfrytëzoni pikat e tjera kufitare për qarkullim

Policia e Kosovës ka njoftuar  se për shkak të bllokimit të rrugës në Serbi, pika kufitare ”Merdare” vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim, shkruan "Kosova Sot Online".

Policia ka ftuar qytetarët dhe bashkatdhetarët  që të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare “Jarinje”, ”Bernjak” dhe “Merdare”.

Komunikata e plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Për shkak të bllokimit të rrugës në Serbi, pika kufitare ”Merdare” është mbyllur për qarkullim

Prishtinë, më 28 dhjetor 2022

Në orët e vona të mbrëmjes së datës 27.12.2022, bazuar në informacionet e siguruara, nga persona të dyshuar është bllokuar rruga në territorin e Serbisë që e lidhë me Republikën e Kosovës.

Bllokimi rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare “Merdare” e cila për shkak të kësaj bllokade është mbyllur për qarkullim.

Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare “Jarinje”, ”Bernjak” dhe “Merdare”, deri në njoftimin e radhës.

(Kosova Sot Online)