Alarm i rrejshëm, hapet për qarkullim Aeroporti i Prishtinës

  • E.K /
  • 28 December 2022 - 12:44
Alarm i rrejshëm, hapet për qarkullim Aeroporti i Prishtinës

Policia e Kosovës ka njoftuar se kërcënimi për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ishte alarm i rrejshëm “me qëllime të caktuara”, shkruan "Kosova Sot Online"

Policia ka thënë se Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë lëshohet në qarkullim.

Në njoftim thuhet se pas kontrollit që kanë bërë nuk kanë gjetur mjet shperthyes.

Komunikatë e plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA - Shtesë

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë lëshohet në qarkullim

Prishtinë, më 28 dhjetor 2022

Pas realizimit të kontrollit në objekte dhe hapësira të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka rezultuar se nuk ka ndonjë mjet shpërthyes, dhe se kanosja me mjete shpërthyese ka qenë një alarm i rremë me qëllime të caktuara.

Pas përfundimit të kontrollit dhe punëve nga institucionet relevante, funksionimi dhe qarkullimi në aeroport i është kthyer normalitetit, andaj i falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar me institucionet e Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)