Në Veri të Kosovës digjen dy kamionë të vendosur në barrikada

  • S.A /
  • 29 December 2022 - 08:54
Në Veri të Kosovës digjen dy kamionë të  vendosur në  barrikada

Ndonëse largimi i barrikadave  në veri ishte paralajmëruar të nisë sot,  në mëngjesin e së enjtes dy kamionët e vendosur tek vendi i quajtur “Kërshi i Dudës” rasoptohet se  janë djegur, shkruan "Kosova Sot Online".

Vendosja e barrikadave nga grupe kriminale serbe u bë pas arrestimit të ish policit Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm ndaj institucioneve të Kosovës, saktësisht zyrave të KQZ në veri të vendit.

Më shumë se 10 barrikada të vendosura nga këto grupe penguan qarkullimin e lirë të njerëzve, ndërkaq edhe reagimi ndërkombëtar në këtë drejtim ishte i dobët.

Për largimin e barrikadave ka folur mbrëmë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shprehur optimist se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës do të largohen të enjten.

Ai tha se qytetarët e Kosovës do të kenë arsye për të festuar, teksa shtoi se protestat paqësore janë më të dobishme se sa vendosja e barrikadave.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.

Ai pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai, duke shtuar se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Dejan Pantiq të mërkurën u lirua në arrest shtëpiak, nga masa e paraburgimit. Prokuroria ka dal me një deklaratë ku theksojnë se Dejan Pantiq u dërgua në arrest shtëpiak për shkak të aspektit human, pasi i njëjti kishte probleme shëndetësore.

(Kosova Sot Online )