Ky shtet mban në burg të përjetshëm kritikun e presidentit

  • A.P /
  • 29 December 2022 - 21:20
Ky shtet mban në burg të përjetshëm kritikun e presidentit

Një gjykatë e apelit në Turqi vendosi të mbajë në fuqi të mërkurën dënimin e kritikut kryesor të presidentit turk, Osman Kavala, burgimi i të cilit ka shtuar tensione në marrëdhëniet e Ankarasë me Perëndimin.

Aktivisti dhe filantropi i lindur në Paris, Osman Kavala u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht në prill me akuzën e përpjekjes për të rrëzuar qeverinë  e Erdoganit, përmes financimit të protestave të vitit 2013.

Ndërsa, shtatë të tjerë u dënuan me nga 18 vjet secili për ndihmë në përpjekjen për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Erdogan gjatë të ashtuquajturave protesta të Parkut Gezi në Stamboll, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Agjencia turke e lajmeve Anadolu tha se gjykata e apelit vendosi se vendimi i prillit “përputhej me ligjin”.

Mbrojtja ende mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë të Turqisë.

Gjyqi shumëvjeçar i Kavalës ka lëkundur lidhjet strategjike, por të stuhishme të Turqisë, anëtare të NATO-s, me aleatët e saj kryesorë perëndimorë që nga arrestimi i tij i papritur në tetor të vitit 2017.

Kavala atëherë njihej më së shumti si një biznesmen i butë, i cili po shpenzonte një pjesë të pasurisë së tij për të promovuar kulturën dhe projektet që synonin të pajtonin Turqinë me Armeninë.

Mirëpo, Erdogan e portretizoi atë si një agjent majtist të miliarderit amerikan me origjinë hungareze George Soros, i cili po përdorte paratë e huaja për të rrëzuar shtetin.

Kavala u akuzua fillimisht për financimin e valës së protestave të vitit 2013, të cilat disa analistë i shohin si gjenezë e qëndrimit më autoritar të Erdoganit në gjysmën e dytë të sundimit të tij prej dy dekadash.

Megjithatë, një gjykatë e shpalli të pafajshëm dhe e liroi atë në shkurt 2020, por policia e arrestoi prapë pa arritur në shtëpi, raporton AFP

Një gjykatë tjetër më pas e akuzoi atë për përfshirje në një përpjekje të dështuar për grusht-shtet të vitit 2016 kundër Erdoganit, në të cilin më shumë se 250 persona vdiqën në Stamboll dhe Ankara.

 

(Kosova Sot Online)