Vela: Regjimi Vuçiqit po pretendon se në veri ka një realitet të ri

  • A.P /
  • 29 December 2022 - 20:00
Vela: Regjimi Vuçiqit po pretendon se në veri ka një realitet të ri

Pushteti i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq po pretendon rrejshëm se në veri të Kosovës ka ndryshuar realiteti politik dhe juridik pas heqjes së barrikadave, ka theksuar këshilltari i Presidentes Osmani, Blerim Vela,  transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të bazohen vetëm në njohje të ndërsjellë, barazi dhe reciprocitet.

“Barrikadat në Kosovës, të vendosura nga strukturat ilegale të Serbisë, po hiqen. Megjithatë, cfarë mbetet është përpjekja e regjimit të Vuçiqit për t’i normalizuar veprimet e fshehta, dhunën dhe kërcënimet me agresion një normë në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë”, ka shkruar ai.

“Kosova dhe Serbia mund të ndërtojnë marrëdhënie vetëm mbi bazën e njohjes së ndërsjellë, barazisë dhe reciprocitetit. Regjimi i Vuçiqit rrejshëm po pretendon se ka një realitet të ri politik dhe juridik në veri të Kosovës”, ka shtuar Vela.


Ai ka thënë se Policia e Kosovës dhe institucionet tjera, po kryejnë detyrat e tyre në të gjithë territorin e vendit, përfshirë veriun.

(Kosova Sot Online)