Lajçak: Të mos lejohet rrëshqitja e një tjetër krizë, Kosova dhe Serbia të nisin diskutimet

  • E.K /
  • 30 December 2022 - 10:00
Lajçak: Të mos lejohet rrëshqitja e një tjetër krizë, Kosova dhe Serbia të nisin diskutimet

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se heqja e barrikadave e ka zgjidhur problemin, duke thënë se shpreson që të mos ketë ndonjë krizë tjetër brenda javës, përcjell "Kosova Sot Online".

Lajçak tha se nëse një marrëveshje nuk arrihet më së largu deri më 2024, atëherë duhet të kthehen nga e para në këtë proces.

Po ashtu, Lajçak theksoi se është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të nisin diskutimet për normalizimin e raporteve në mes tyre.

“Shpresoj se nuk do të përballemi me një krizë tjetër brenda një jave – ose mund të harrojmë normalizimin”, tha ai.

“Kjo është një mundësi reale, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024.  Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, ne do të duhet të fillojmë nga e para. Nëse i kthehemi krizës dhe konflikteve, atëherë mund të harrojmë afatet”, theksoi Lajçak.

“Ajo që është e rëndësishme tani, është që të mos lejohet rrëshqitja prapa në një tjetër krizë, dhe është e rëndësishme për liderët në Kosovë dhe Serbi që të nisin ta krijojnë një atmosferë të përshtatshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë diplomati evropian, i cili po punon bashkë me SHBA-në dhe NATO-n në kuadër të përpjekjeve diplomatike mes mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi.

(Kosova Sot Online)