Holanda këshillon qytetarët e vet të mos udhëtojnë në veri të Kosovës

  • E.K /
  • 30 December 2022 - 12:52
Holanda këshillon qytetarët e vet të mos udhëtojnë në veri të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës i ka paralajmëruar qytetarët e vet për rrezikun aktual në veri të Kosovës, përcjell "Kosova Sot Online".

Në njoftim thuhet se në veri ka tensione të rritura, duke thënë se qytetarët e saj  mund të udhëtojnë vetëm nëse është e domosdoshme.

Tutje, në njoftim është thënë se nëse dikush shkon në veri të Kosovës, atëherë kjo mbetet në përgjegjësin e tyre.

“Për shkak të tensioneve të rritura në veri të Kosovës (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe veri të qytetit të Mitrovicës), kodi i ngjyrës i kësaj zone ndryshon nga e verdha në të portokalltë”, ka thënë ministria sipas mediumit holandez Travelpro.

“Kodi i ngjyrës i këshillave për udhëtim për pjesën tjetër të Kosovës është i verdhë. Udhëtoni në veri të Kosovës (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe veri të Mitrovicës vetëm nëse është e domosdoshme”.

“Nuk është sigurt që të shkohet për pushime në zonat e portokallta. Shkoni vetëm nëse është e domosdoshme. Për shembull për vizita familjare në raste të vdekjes, sëmundjes së rëndë ose aksidenteve. Ose nëse duhet të jeni atje me punë”, thuhet në këtë njoftim.

“A doni të shkoni në veri të Kosovës gjithsesi? Atëherë mbetet përgjegjësi e juaja. Përgatituni mirë. Ministria e Punëve të Jashtme me shumë gjasë do të mund t’ju ndihmojë më pak nëse futeni në telashe”, potencohet në këtë njoftim.

(Kosova Sot Online)