A do ta ketë Suedia si kryesuese e BE-së prioritet edhe Ballkanin!

  • A.P /
  • 01 January 2023 - 16:47
A do ta ketë Suedia si kryesuese e BE-së prioritet edhe Ballkanin!

Suedia mori nga Çekia kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, në ditën e parë të vitit 2023, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".


Kryesim i cili do t’i zgjasë deri në fund të muajit qershor.

Do të jetë kjo hera e tretë që Suedia do të jetë në krye të këtij institucioni. Anëtare e BE-së që nga viti 1995, ajo kishte kryesimin e radhës në vitin 2000 dhe në vitin 2009.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, duke folur për prioritetet që do t’i ketë vendi i tij në krye të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2023, tha se do të punojë për një “Evropë më të sigurt, më të lirë dhe më të gjelbër“. Këto tri pika, sipas tij, do të jenë themeli i prioriteteve të Suedisë gjatë kryesimit me Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar agresionit të Rusisë në Ukrainë, Kristersson tha se forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së, si dhe bashkëpunimi me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të domosdoshëm për të vazhduar dhënien e ndihmës për Ukrainën në të gjitha aspektet.

Në dokumentet që publikoi Presidenca suedeze e BE-së për prioritetet e saj, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit përmenden si çështje të rëndësishme në aspektin e sigurisë për tërë Evropën.

“Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e sigurisë, janë të rëndësishme si për këtë rajon, ashtu edhe për Bashkimin Evropian“, thuhet në dokumentet e Presidencës suedeze të BE-së.

Suedia, thonë burimet diplomatike në Bruksel, do të punojë në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit me vendet fqinje të BE-së, si me ato që janë në procesin e zgjerimit, ashtu dhe me ato që nuk janë të përfshira në këtë proces.

Suedia premtoi se do ta vazhdojë punën e nisur me dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE për Ukrainën dhe Moldavinë, por edhe me vende të tjera, përfshirë ato të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Presidenca do të vazhdojë punën pas vendimeve të Këshillit Evropian për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë dhe ofertën për perspektivë evropiane Gjeorgjisë. Po ashtu do të vazhdojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në prioritetet e Presidencës suedeze.

“E ardhmja e këtyre vendeve dhe qytetarëve të tyre është në Bashkimin Evropian. BE-ja duhet të vazhdojë t’i mbështesë këto vende në përpjekjet e tyre për zbatimin e reformave, që janë pjesë e procesit të integrimit. Reformat në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit janë kyçe“, thuhet në dokumentet suedeze.

Pritet që Presidenca suedeze të vazhdojë punën edhe rreth dy çështjeve të lidhura me Kosovën. Njëra është përmbyllja formale e vendimit për liberalizimin e vizave, ndërsa tjetra ka të bëjë me shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE.

(Kosova Sot Online)