Pyetjes: A keni pritur që Serbia ta pushtojë Kosovën?/Kështu i përgjigjet Sveçla

  • A.P /
  • 02 January 2023 - 17:04
Pyetjes: A keni pritur që Serbia ta pushtojë Kosovën?/Kështu i përgjigjet Sveçla

Në një intervistë të publikuar në mediumin zviceran 20 minuten, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, flet për atë se a kanë pritur “të pushtohet” vendi nga Serbia, dhe rreth asaj se a duhet partnerët ndërkombëtarë të përfshihen më shumë në atë pjesë të vendit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

U deshën plot 20 ditë që të largohen barrikadat në veri të Kosovës, të cilat u hoqën nga personat që i vendosën vetë ato.


Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë, nuk vepruan, pasi që sipas kryeministrit Albin Kurti, “KFOR-i u kishte kërkuar kohë”.

Në intervistën dhënë mediumit zviceran, ministri Sveçka ka thënë se “kanë menaxhuar” që bashkë me partnerët ndërkombëtarë, të depërshkallëzojnë situatën, të cilën e quan, “vetëm të përkohshme”.

“Ne jemi ata që po insistojmë në rend dhe ligj, në vlera demokratike dhe në një vend që u shërben të gjithë qytetarëve njëjtë. Me ndihmën e partnerëve tanë, ne kemi menaxhuar që të sjellim një depërshkallëzim, por duke parë eksperiencat e kaluara, kjo është pa dyshim vetëm e përkohshme.” – ka thënë ai.

Një pyetje mjaft e rëndësishme i është shtruar në këtë intervistë z.Sveçlës. Ai është pyetur si vijon: “A keni pritur që Serbia ta pushtojë Kosovën?”.

Sveçla ka përmendur se kanë qenë dhe janë ende të shqetësuar, por jo edhe “të frikësuar”.

“Kemi qenë dhe jemi të shqetësuar, por nuk nënkupton se jemi të frikësuar. Analiza e situatës bazohet në fakte dhe arsye ekzistuese. Por skenarët e paarsyeshëm nuk mund të përjashtohen plotësisht. Aktualisht jemi dëshmitarë të një lufte në Evropë, në të cilën një despot ka ndjekur synime të errëta për Ukrainën dhe rajonin, duke kapërcyer vijat e kuqe që deri vonë dukeshin të paimagjinueshme.” – është përgjigjur ai.

(Kosova Sot Online)