Presidenca suedeze jep detaje për vizat

  • A.P /
  • 04 January 2023 - 17:36
Presidenca suedeze jep detaje për vizat

Suedia nga janari është udhëheqëse e Presidencës së Bashkimit Europian, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Kosova u nda e kënaqur me punën e Presidencës çeke në shtyrjen përpara të çështjes së vizave. Por, këtë tani do ta trajtojë qysh në muajt e parë të udhëheqjes edhe Suedia.

Kështu ka thënë  një zyrtare për shtyp nga Presidenca e Suedisë në BE.

“Është një marrëveshje politike mes Këshillit dhe Parlamentit Europian. Formalitetet e mbetura në lidhje me rregulloren pritet të ndodhin në muajt e parë të Presidencës së Suedisë”, thuhet në përgjigje.


Ambasadorët e Këshillit të BE-së në dhjetor të vitit të kaluar aprovuan tekstin e miratuar nga përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian.

Procedura e radhës tashmë bartet te përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, të cilët duhet ta miratojnë këtë marrëveshje që u arrit nga përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian dhe për votim në Parlamentin Europian.

PE, që ka dëshmuar tashmë që është pro heqjes së vizave, ka të ngjarë ta hedhin në votim çështjen e liberalizimit të vizave në këtë muaj. Kështu pati deklaruar më herët 

“Kjo është planifikuar për votim në Komitetin e Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) më 12 janar. Data plenare ende mbetet për t’u konfirmuar, teorikisht mund të jetë në javën që fillon më 16 janar, por do të shohim kur të afrohet data”, kishte thënë një zëdhënës i Parlamentit Europian

Sipas asaj që është dakorduar deri më tani, heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi europian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, por BE është dakorduar që kosovarët do të udhëtojnë në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Çështja e liberalizimit të vizave kaloi përfundimisht në Këshillin e BE-së më 30 nëntor të vitit të shkuar për të kaluar në procedurat e tjera.

(Kosova Sot Online)