Kur do të fillojë pajisja e qytetarëve me pasaporta!

  • A.P /
  • 04 January 2023 - 17:59
Kur do të fillojë pajisja e qytetarëve me pasaporta!

Edhe në vitin 2023, problemi i pasaportave po e përcjell Kosovën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Kontrata për furnizim me pasaporta e dokumente tjera është nënshkruar në fund të muajit dhjetor, pajisja e qytetarëve me to s’ka filluar ende. 


Ministri Xhelal Sveçla e Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë vazhduar të heshtin për këtë çështje.

Pajisja me pasaportë është bërë problematike për kosovarët viteve të fundit. Disa herë brenda vitit, qytetarëve u duhet të presin me javë për të marrë një dokument të tillë.

Me një problem të tillë ata po vazhdojnë të përballen edhe në këtë fillim vit. Edhe pse aplikimet për këto dokumente i kanë dorëzuar tash e sa javë, Ministria ende s’ua ka lëshuar në mungesë materiali. Shkaku i mungesës së pasaportave, shumë qytetarëve u kanë dështuar edhe terminet për viza.

Një kontratë për furnizim me dokumente të tilla është nënshkruar më 27 dhjetor të vitit 2022, por pajisja e qytetarëve s’ka filluar ende.


Kontrata që është nënshkruar në dhjetor ka vlerë 4 milionë e 21 mijë e 180 euro  dhe i është dhënë kompanisë gjermane “Veridos GmbH”.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 12 muaj dhe parasheh furnizimin me dokumente blanko, si pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë.

Saktësisht, parashihet furnizimi me 290 mijë pasaporta të zakonshme, 270 mijë e 208 letërnjoftime elektronike TIP A, 7 mijë leje qëndrim TIP C, 125 mijë patentë shoferë dhe mirëmbajtja e sistemeve për 12 muaj.

(Kosova Sot Online)