Pse Rusia fajëson ushtarët e saj

  • A.P /
  • 04 January 2023 - 19:23
Pse Rusia fajëson ushtarët e saj

Përdorimi i paautorizuar i telefonave celularë nga ushtarët rusë çoi në sulmin vdekjeprurës me raketa ukrainase në Makiivka më 1 janar, thotë ushtria e Moskës, duke e rritur numrin e të vdekurve në 89.

“Tashmë është e qartë se arsyeja kryesore për atë që ndodhi ishte ndezja dhe përdorimi masiv – në shkelje të urdhërit ndalues – nga personeli i telefonave celularë në një zonë të arritshme nga armët armike”, u shpreh ministria ruse nëpërmjet një deklarate.

“Ky faktor i lejoi armikut të gjurmonte dhe të përcaktonte koordinatat e vendndodhjes së ushtarëve për një sulm me raketa,” thuhet më tej në deklaratë.

Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin në Makiivka të hënën. Forcat ruse kontrollojnë qytetin dhe e kishin kthyer një shkollë në kazerma ushtarake.

Gjeneral-lejtnanti rus Sergei Sevryukov tha në një deklaratë të filmuar të qarkulluar nga ministria të mërkurën se numri i të vdekurve ishte rritur në 89, nga 63 të njoftuar të hënën. Ai tha se më shumë trupa ishin gjetur nën rrënojat e ndërtesës, raportoi agjencia e lajmeve Agence France-Presse.

“Një komision po punon për të hetuar rrethanat e asaj që ka ndodhur”, tha ai.

Korrespondentët rusë të luftës thanë se njësitë ushtarake në lagjet e Makiivkas përbëheshin kryesisht nga rusë të sapomobilizuar, njoftoi agjencia e lajmeve AFP. Ata shtuan se ushtarët ishin të vendosur në një ndërtesë të pambrojtur që u shkatërrua për shkak se municionet e ruajtura në objekt shpërthyen gjatë sulmit, transmeton oranews.

Të martën, familjarët në zi u mblodhën në disa qytete të rajonit të Vollgës në Samara, nga kishin prejardhjen disa nga ushtarakët.

Forcat ruse kryen sulme ajrore në zona të shumta në Ukrainë gjatë natës, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se Moska po planifikon mobilizim në shkallë të plotë dhe është vendosur të nisë një ofensivë të madhe.

Rusia ka mohuar më parë se po mobilizon më shumë trupa.

(Kosova Sot Online)