NATO: KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin

  • A.P /
  • 05 January 2023 - 16:33
NATO: KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin

Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtimin e numrit të trupave në misionin e saj, KFOR, kanë theksuar nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”. 

Një zyrtar i NATO-s tha se KFOR-i aktualisht ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët, bazuar në mandatin që ka.

“KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara”, tha zyrtari i NATO-s.

Ky qëndrim pason thirrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi që NATO-ja të shtojë numrin e trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.


“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welt më 1 janar.

I pyetur nëse NATO-ja do ta shqyrtonte një kërkesë eventuale zyrtare të Qeverisë së Kosovës për shtimin e kapaciteteve, zyrtari i NATO-s tha se “çdo ndryshim në prezencën e NATO-s bazohet në rrethana dhe kushte të caktuara”.

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik”, tha zyrtari i NATO-s për rel-in.

Duke iu referuar thirrjes së kryeministrit Kurti, ky zyrtar tha se NATO-ja ka qenë e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për dekada dhe se misioni i KFOR-it, me afro 4.000 trupa, është “demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi”.

Forcat e misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë.

 

(Kosova Sot Online)