Ngjarje e rëndë shqiptare: Nëna hedh foshnjën në lumë, arrestohet 32-vjeçarja

  • E.K /
  • 07 January 2023 - 11:31
Ngjarje e rëndë shqiptare: Nëna hedh foshnjën në lumë, arrestohet 32-vjeçarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, ku një grua 32 vjeçare është arrestuar pasi ka hedhur në lumë foshnjën e saj, shkruan 'Kosova Sot Online".

Sipas policisë, kjo grua e kishte braktisur foshnjën e saj mashkull të lindur me 30 dhjetor, e cila e kishte hedhur në lumin Kir.

Policia ka njoftuar se në vendin e quajtur Postribë, në lumin Kir, u gjet i pajetë, trupi i foshnjës.

Njoftimi nga policia Shkodër

Hodhi në lumin Kir foshnjën e saj, vihet në pranga për vrasje, 32-vjeçarja.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, bazuar në inteligjencën informative, se mbrëmjen e djeshme, një shtetase dyshohet se kishte braktisur foshnjën e saj, të seksit mashkull, të lindur më datë 30 dhjetor 2022, dhe mund ta hidhte në lumin Kir, kanë organizuar punën për verifikimin e këtij informacioni të marrë.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Postribë, në lumin Kir, u gjet i pajetë, trupi i foshnjës së 32-vjeçares e cila e kishte hedhur atë në lumë gjatë natës.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasen O. G., 32 vjeçe, banuese në fshatin Myselim.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i kësaj shtetaseje, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

(Kosova Sot Online)