Ja çfarë thotë pjesëtari i FSK-së për plagosjen në Shtërpcë

  • A.P /
  • 09 January 2023 - 18:11
Ja çfarë thotë pjesëtari i FSK-së për plagosjen në Shtërpcë


“Propagandë të kontaminuar politikisht” cilësimin e plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcës si “vrasje në tentativë”, e ka quajtur Kujtim Kërveshi, avokat i pjesëtarit të FSK-së, Azem Kurtaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se i beson klientit të tij dhe se versioni i Azem Kurtajt “është i thjeshtë”. Sipas tij, Kurtaj dhe shoku i tij kishin marrë rrugë për “trip” dhe se papritur atyre u doli punë me një turmë njerëzish.


“Ata kanë marrë një rrugë pa kurrfarë qëllimi të keq. Janë ballafaquar me një grup njerëzish”, tha Kërveshi

Duke mohuar se rasti ishte i motivuar etnikisht, Kërveshi tha se klienti i tij “nuk ka pasur kurrfarë shtytje kombëtare për të reaguar ashtu siç ka reaguar” dhe se “në momentin që e kam takuar, më ka thënë e kam bërë në vetëmbrojtje”.


Sipas versionit të Kurtajt, ai fillimisht ka shtënë në ajër, pasi ishte bllokuar nga turma.

“Predhën e dytë, nga pamundësia për të lëvizur, e ka shkrepur në drejtim të tokës”, thotë avokati.

Ai tha se klienti i tij është “shëndosh e mirë”.

(Kosova Sot Online)