Rashiq: Dy serbët në Shtërpcë u gjuajtën për t’u vrarë

  • A.P /
  • 09 January 2023 - 18:38
Rashiq: Dy serbët në Shtërpcë u gjuajtën për t’u vrarë

Gjuajtja me armë zjarri ndaj 21 dhe 11 vjeçarit në Shtërpcë kishte qëllim vrasjen e tyre, sipas ministrit kosovar, Nenad Rashiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Thuhen dy versione rreth plagosjes së një fëmije dhe një të riu në Shtërpcë, që dyshohet se e kreu A.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Njëri version thotë se ai shtiu mbi dy qytetarët, ndërsa tjetri thotë se ai shtiu në asfalt dhe në ajër, për t’i larguar nga rruga të rinjtë që s’po e linin të kalonte.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, i ka thënë mediumit serb “nova.rs” se nuk e beson versionin që e ka thënë avokati i të dyshuarit.


“Versioni se ai ishte i sulmuar dhe i rrethuar është tregim i avokatit të tij, që s’do t’i jepja shumë peshë. Me aq sa di unë, nga një pikëpamje ligjore, nuk ka dyshim se ai gjuajti në drejtim të djemve. Ckado që ka qenë, rikoshet apo gjuajtje direkte, nuk është e rëndësishme në këtë pikë. Unë prirem nga ajo që shkruhet në aktakuzë, që është tentimvrasje dhe e tillë mbetet”, ka thënë Rashiq.

“Nuk kam asnjë dyshim që ai i gjuajti fëmijet për t’i vrarë ata”, ka thënë tutje ministri.

Tutje, Rashiq ka përmendur disa deklarata të mëhershme të dyshuarit, që thotë se kanë qenë “të papërshtatshme”.

“Për më shumë, do të doja që kolegët e tij të ftoheshin për dëshmi rreth sjelljeve të tij të përgjithshme dhe shprehjes së nacionalizmit”, ka thënë ai.

Rashiq thotë se ka qenë prej të parëve që e ka marrë vesh që i dyshuari është arrestuar, pasi thotë se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ministrinë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.

“Duke pasur parasysh rrethanat, që kishte të bënte me fëmijë dhe gjithçka ndodhi në një ditë feste të madhe, mendoj se reagimi i Policisë duhej të ishte dyfish më i shpejtë dhe më i mirë se sa në rastet e zakonshme dhe u lumturova kur ministri më njoftoi si dorasi ishte arrestuar. U ndjeva shumë më mirë”, thotë ministri i Qeverisë Kurti.

Duke u nisur nga e kaluara dhe rastet e padënuara të sulmee në baza etnik, Rashiq e konsideron arrestimin e të dyshuarit për plagosjen e dy të rinjve serbë si “sukses të vitit të Policisë së Kosovës”. 


(Kosova Sot Online)