Kryeziu: Raportimet që ndërlidhin Kurtin me aferën 100 milionëshe të Berishajt janë të rreme

  • A.P /
  • 10 January 2023 - 16:13
Kryeziu: Raportimet që ndërlidhin Kurtin me aferën 100 milionëshe të Berishajt janë të rreme

Në lidhje me raportimet e një media sllovene, Prava.si, e cila në një artikull të publikuar ngrinte dyshime për përfshirjen e kryeministrit të vendit, Albin Kurti e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një aferë korruptive në shumë prej 100 milionë euro, ka reaguar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryeziu tha se portali në fjalë, është themeluar nga Luka Pers, të cilin Kryeziu e quan pseudogazetar që sipas tij, deri vonë ka punuar për Nova24TV – organizatë lajmesh e ekstremit të djathtë, ndërsa artikullin e quan të rremë.

“Portali është aq i parëndësishëm sa që mezi e gjen online. Sidomos kur dihet se në vitin 2021, llogaria e Luka Pers në Twitter është suspenduar pikërisht për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme. E trajtimi nga partitë opozitare i një “lajmi” të tillë si temë nacionale, është më së paku shterpërsi opozitare”.

“Dhe për fund, pretendimet e një portali të themeluar nga një pseudogazetar që ka punuar në një organizatë lajmesh të ekstremit të djathtë, llogaria në Twitter i të cilët është suspenduar për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme, patjetër se janë të pavërteta”, është shprehur Kryeziu.

Në lidhje me artikullin e publikuar në Prava.si, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila i kërkoi Qeverisë së Kosovës një shpjegim në lidhje me pretendimet e ngritura.


(Kosova Sot Online)