Zbulohet roli i Këshilltarit Special amerikan që sot do të qëndron në Kosovë

  • S.A /
  • 11 January 2023 - 13:00
Zbulohet roli i Këshilltarit Special amerikan që sot do të qëndron në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dërguar në rajon Këshilltarin Special Derek Chollet, i cili  po qëndron në Kosovë. Chollet do të ketë takime të ndara me Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti dhe krerët e opozitës, transmeton "Kosova Sot Online". Por, cili është roli i këtij diplomati amerikan?

Sipas shpjegimeve në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit është zyrtar i nivelit të nënsekretarit që shërben si këshilltar i Sekretarit për çështje specifike.

“Këshilltari i Departamentit është një oficer kryesor i nivelit të nënsekretarit, i cili i shërben Sekretarit si këshilltar dhe konsulent i posaçëm për problemet kryesore të politikës së jashtme dhe i cili u jep udhëzime zyrave përkatëse në lidhje me çështje të tilla. Këshilltari kryen negociata dhe konsultime të veçanta ndërkombëtare, si dhe merr detyra të veçanta herë pas here, sipas udhëzimeve të Sekretarit”, thuhet në përshkrimin e punës të Këshilltarit Special.

Chollet muajve të fundit ka realizuar disa telefonata me Kryeministrin Kurti ndërsa një herë e ka pritur edhe në SHBA.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të shtunën që shkoi, foli për takimin me Chollet në Beograd. Diplomati amerikan në kryeqytetin serb do të qëndrojë nesër.

Vuçiq, në stilin e tij, e ka prezantuar Chollet si njeri të rëndësishëm me të cilin do të diskutojë për tema me rëndësi.

Pastaj, është marrë pak edhe me profilin e tij – me gjasë duke i ngatërruar pak gjërat.

“Atij nuk ka kush i jep urdhëra në Departametin e Shtetit, ndoshta vetëm Jack Sullivan (këshilltari kryesor i Joe Biden). Bëhet fjalë për një njeri shumë të rëndësishëm”.

Ndryshe, përvec Kurtit e Osmanit, Chollet do të ketë takime edhe me opozitë. Bashkë me emisarin Gabriel Escobar dhe ambasadorin Jeff Hovenier do t’i takojë kreun e PDK’së Memli Krasniqi, kreun e LDK’së Lumir Abdixhiku dhe kreun e AAK’së Ramush Haradinaj.

Chollet vjen në Kosovë e Serbi pas tensioneve të fundit në veri dhe në kulmin e përpjekjeve që janë duke bërë SHBA dhe BE për të arritur një marrëveshje mes dy vendeve mbi bazën e planit franko-gjerman.

(Kosova Sot Online )